27 shtator, 2017 – Kombëtarja e U-19 e Kosovës në futboll, do të grumbullohet për tri ditë, nga nesër e deri më 30 shtator, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet para kualifikuese për Kampionatin evropian që do të mbahet më 2018 në Finlandë. Në këtë drejtim nesër Kombëtarja do të ketë një ndeshje testuese me skuadrën e KEK-ut, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Agron Rama” në Kastriot në orën 14.00. Pas disa grumbullimeve të mëhershme, ky është grumbullimi i fundit para se më 1 tetor Kombëtarja të udhëtojë në Austri, ku do të zhvillohen ndeshjet parakualifikuese, ndërkaq Kosova është në grup me Austrinë, Izraelin dhe Lituaninë. Përzgjedhësi Ramiz Krasniqi do të ketë rastin të shohë edhe njëherë futbollistët e ri, të cilët do të jenë pjesë e këtyre kualifikimeve.