28 shtator, 2017 – Në stadiumin “Agron Rama” në Kastriot, ka triumfuar Kombëtarja e Kosovës U-19 ndaj skuadrës së KEK-ut me rezultat 1:0, me golin e Liridon Balajt në minutën e 12-të, në ndeshjen kontrolluese në kuadër të grumbullimit për përgatitjen për ndeshjet para kualifikuese për Kampionatin evropian Finlanda 2018. Kombëtarja U-19 ka nisur mirë përgatitjet para udhëtimit në Austri ku do të marrë pjesë në garat kualifikuese ku në grup janë Austria, Letonia dhe Izraeli e ndeshjet do të zhvillohen në qendrën e njohur sportive Leogang të Austrisë. Futbollistët e rinj të Kombëtares treguan, cilësi, forcë fizike, përqendrim dhe kurorëzim. Ndeshjen e ndoqën drejtori teknik Michael Nees si dhe përzgjedhësit e Kombëtares U-21 Rafet Prekazi dhe Erdogan Celina dhe një numër i konsiderueshëm i adhuruesve.  Kombëtarja nesër po ashtu nga ora 14:00 në të njëjtën stadium do të ketë stërvitjen e radhës. Pas ndeshjes deklaruan:

Ramiz Krasniqi, përzgjedhës

Në radhë dua të falënderoj drejtuesit e skuadrës së KEK-ut për mikpritje dhe që gjetën kohë dhe hapësirë për ta zhvilluar këtë ndeshje testuese, ani pse vetëm një ditë më herët kishte pasur ndeshje kampionale. Ne pamë një ndeshje të mirë dhe testuam lojtarët për përgatitjet fizike. Mendoj se baza e ekipit është mjaft e mirë dhe fatbardhësisht nuk kemi as lëndime. Do të kemi edhe  në ditët të ardhshme seanca stërvitore dhe shpresoj e besoj në një paraqitje të denjë në kualifikime.

Lumbardh Dellova, kapiten

Konsideroj se ishte një lojë e mirë, por kemi mundur edhe më mirë dhe shpresoj se në ditët në vijim do të punojmë shumë në mënyrë që të jemi plotësisht të gatshëm për ndeshjet që na presin e ku do të kemi kundërshtarë të fortë.
Për Kosovën luajtën: Flamur Gashi, Lot Celina,  Ismajl Beka, Dardan Dakaj, Egzon Gashi, Adrian Behrami, Liridon Balaj, Rilind Nimani, Kadri Topalli, Lumbardh Dellova e Altrim Pajazit si dhe u inkuadruan edge: Albion Berisha, Drin Govori, Abit Salihu, Arlind Ademi, Lirik Haziri, Ehat Gjoka e Kastriot Selmani.