4 shtator, 2017 – Kombëtarja e Kosovës U-21 sot e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Osnatel Arena” në Osnabruck, aty ku nesër në orën 19:00, do të luajë kundër Gjermanisë, në ndeshjen e katërt në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2019. Në seancën e sotme skuadra ka stërvitur e kompletuar dhe gjendja e futbollistëve në përgjithësi është e mirë. Përzgjedhësi Rafet Prekazi me ndihmësit Erdogan Celina dhe Naser Prapashtica gjatë këtyre tre ditëve në Gjermani kanë punuar si në aspektin teknik e taktik, ashtu edhe në analizën e lojës së kundërshtarit. Pa marrë parasysh se do të vihen përballë një skuadre që është superfuqi në futbollin botëror, futbollistët tanë janë maksimalisht të motivuar dhe shpresojnë në një tjetër paraqitje dinjitoze, pas asaj fitoreje historike në stadiumin “Adem Jashari”. Stërvitjen e sotme nga afër e përcollën edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, Xhelal Broja e Bekim Rexhepi, si dhe drejtori teknik Michael Nees, derisa pjesë e ekspeditës është edhe asistenti Alan Clark.
Deklaruan pas stërvitjes
Rafet Prekazi: Gjermania është favorite dhe kjo nuk diskutohet. Problemet që kemi pasur me lëndime dhe me zhvillimin e dy ndeshjeve brenda një kohe kaq të shkurtë natyrisht se na shkaktojnë telashe dhe nuk e di sa do t’ia arrijmë qëllimit që ta mbajmë atë ritëm që patëm në ndeshjen kundër Norvegjisë, por për një gjë jam i sigurt se këta djem do ta japin mbi 100 përqindshin e tyre në fushën e gjelbër.
Ardian Ismajli: Fitorja kundër Norvegjisë na ka motivuar jashtëzakonisht shumë. E dimë se tash na pret një sfidë edhe më e vështirë, por jemi të përgatitur dhe besoj që sërish do të shfaqim lojë të disiplinuar. Asnjë skuadër nuk e ka të lehtë të luajë kundër gjermanëve, por ne kemi shpirt luftarak dhe do të hyjmë në fushë për të treguar më të mirën tonë dhe të nxjerrim rezultat pozitiv.
Kamer Krasniqi: Për mua ndeshja e nesërme është shumë e veçantë pasi luaj në qytetin tim. Do të mundohemi ta tregojmë kualitetin tonë dhe ta dëshmojmë se jemi krenar që jemi shqiptar. Sigurisht se do të japim maksimumin tonë, pastaj mbetet të shihet në fushë se çfarë do të arrijmë në fund. Shumicën e lojtarëve i njoh dhe me disa prej tyre kam luajtur bashkë. Ata janë ekip shumë i mirë, por edhe ne i kemi kualitetet tona dhe besoj se sërish do të luftojmë me zemër. Shpresoj se do ta kemi edhe përkrahjen emade të bashkëatdhetarëve tanë, pasi në Osnabruck ka shumë shqiptarë.
Florent Hasani: Në këtë ndeshje vijmë pas asaj fitoreje historike në Mitrovicë, por tani duam që të dëshmojmë se ai sukses nuk ishte i rastësishëm. Pas çdo ndeshje po tregohemi më kompakt dhe kjo na jep shpresa për paraqitje të mirë edhe kundër Gjermanisë. E dimë forcën dhe kualitetin e gjermanëve, por edhe ne i kemi anët tona pozitive. E kemi analizuar lojën e tyre dhe shpresoj të luajmë të përqendruar maksimalisht dhe t’i befasojmë si me lojë, ashtu edhe me rezultat.