1 nëntor, 2018 – Kombëtarja e Kosovës U-17 ka arritur sukses historik, duke u kualifikuar në raundin  elitar të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U-17, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në Irlandë, prej 2 deri më 18 maj. Këtë sukses “Dardanët” e rinj e arritën duke shënuar fitore kundër Qipros, në ndeshjen e tretë të kualifikimeve në Grupin 5, me rezultat 1:0. Golin e fitores për të përzgjedhurit e Besnik Kollarit e shënoi Milot Avdyli, në minutën e 63-të. Kësisoj, Kosova U17 e mbylli këtë fushatë kualifikuese në pozitën e parë, me 6 pikë, duke lë pas vetës Skocinë dhe Zvicrën. Ndeshjet e rrethit elitar do të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm, e ku do të marrin pjesë 30 ekipe kombëtare, prej të cilave në finalet e Evropianit do të kualifikohen 15 ekipe, të cilat do t’i bashkohen Irlandës si nikoqire. Tërheqja e shortit për rrethin elitar do të bëhet më 6 dhjetor në Nyon.