11 qershor, 2024 – Kombëtarja e Kosovës U17 për vajza e ka mbajtur grumbullimin treditor seleksionues në Kampin Nacional në Hajvali, në kuadër të përgatitjes së ekipit për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian – Liga B, që zhvillohen në vjeshtë. Në këtë grumbullim kanë qenë të përfshira 23 futbolliste, prej të cilave pesë nga vendet e perëndimit, teksa ky kamp do t’i shërbejë përzgjedhëses Sanije Krasniqi dhe stafit të saj për t’i seleksionuar lojtaret me të cilat do të ndërtojë ekipin për dy miqësoret kundër Bullgarisë, që do të zhvillohen më 22 e 24 gusht në Hajvali.
“Tashmë e kemi bërë rutinë që në përfundim të çdo edicioni ta kemi nga një grumbullim, pasi bëhet ndërrimi i gjeneratave, por edhe shumë familje nga Diaspora vijnë në Kosovë dhe kësisoj u japim hapësirë edhe vajzave nga perëndimi që të përfshihen në këto grumbullime. Ky kamp i paraprinë ndeshjeve miqësore me Bullgarinë. Ne, gjatë gjithë edicionit i përcjellim vajzat në kampionatin vendor dhe e kemi një uvertyrë për vajzat, por ky grumbullim na ndihmon që ato t’i zbatojnë detyrat në stërvitje, e sidomos anën taktike që është mungesë e madhe në vendin tonë”, ka theksuar Sanije Krasniqi.
Kosova U17 në kualifikimet për Kampionatin Evropain është e përfshirë në Ligën B, në grup me Shqipërinë dhe Izraelin. Ndeshjet kualifikuese zhvillohen më 30 tetor e 2 nëntor.