25 mars, 2019 – Tash e sa herë në këto ndeshjet parakualifikuese dhe të rrethit elitë, sikur asnjë nga Kombëtaret tona të reja nuk po arrijnë të ikin nga mallkimi që ndeshjen e parë gjithmonë ta humbin dhe tek në ndeshjen e dytë e të tretë po e marrin veten. Kështu ishte edhe sot në ndeshjen e parë të rrethit elitë që u zhvillua në Nyon të Zvicrës për kualifikimet e Kampionatit Evropian e ku Kombëtarja U17 e mund nga Ukraina me rezultat 0:2. Mirë e nisin djemtë tanë lojën, ku sulmuan dhe krijuan raste shënimi, deri në minutën e 19-të, kur nga pakujdesia morën golin e parë, të cilin e shënoi Batahov. Prej kësaj minute sikur u stepen dhe u zmbrapsën futbollistët tanë dhe kështu pësuan edhe golin e dytë sërish nga ndërprerja në minutën e 27-të e V. Yunnik e dyfishoi epërsinë e Ukrainës në 2:0, me të cilin rezultat u përmbyllë pjesa e parë. Pjesa e dytë nuk tregoi ndonjë lojë të mirë por ishte e baraspeshuar. Në njërën anë futbollistët tanë u përpoqën ta ndryshojnë rezultatin e në anën tjetër Ukraina u orvat ta shtojë epërsinë, por ndeshja e përmbyllë me dy golat e pjesës së parë në të mirë të Ukrainës. Përgatitja fizike ishte më e madhe në anën e Ukrainës, ndaj në këtë drejtim ata bën diferencën. Në mesin e shumë bashkatdhetarëve ndeshjen e ndoqi dhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Gjenevë z. Ramadan Avdiu. Në ndeshjen e radhës më 28 mars Kosova takohet me Spanjën.
Pas ndeshjes deklaruan:
Besnik Kollari, përzgjedhës
Ne e filluam mirë pjesën e parë dhe krijuam disa raste dhe rrezikuam portën e Ukrainës, por pësuam gol herë dhe pas golit djemtë nuk arritën të kthehen në lojën që donim ne. Ukraina ishte më e mirë në lojën në ajër dhe mirë e qarkullonin topin. Ndërsa pjesa e dytë ishte e nivelit të barabartë, por futbollistët tanë nuk arrinin të gjenin rrugën drejt portës. Na mbetet t’i shohim dobësitë tona dhe të i mënjanojmë në ndeshjet e ardhme.
Nreca-Bisinger, portier
Mirë ia filluam dhe u përpoqëm të sulmojmë dhe ta rrezikojmë kundërshtarin, por nga pakujdesia morëm dy gola. Mendoj se duhet të përqendrohemi më shumë në ndeshjet tjera.
Kosova – Ukraina 0:2 (0:2)
Stadiumi: Fusha e futbollit e UEFA-s Nyon
Shikues: disa dhjetëra
Gjyqtarë: G. Leibivitz, N. Dotan, Ch. Challiet dhe S. Horsiberger.
Shënues:Batahov(19) dhe VYunnik(27) për Ukr.
K.V.: Lokaj, Zumberi, Avdyli të Kos. dhe Vanat i UKr.
Kosova: Nreca-Bsingr,Hasani, Bekaj (Latifi), M.Avdyli (Pacolli) Dushi (L. Avdyli), Lokaj, Asllani, Huseini (Berisha), Spahiu dhe Haxha (Bilalli).
Ukraina: Neshcheret, Zabarnyl, Vivcharenko, V, Yunnik (Emere), Vanat (Riazantsev), Bliznichenko (Honcharuk), Rubchynsko (Sudakov) Batahov, Brazhko, Kobyliansky (Eghbudzuo) dhe Skorko.