
14 nëntor, 2017 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka barazuar pa gola (0:0) si mysafire kundër Azerbejxhanit, në ndeshjen e zhvilluar sonte në mbrëmje në Baku. Djemtë e Rafet Prekazit u angazhuan maksimalisht, e qarkulluan topin mirë dhe në periudhën më të madhe të lojës e mbajtën kundërshtarin nën presion, duke krijuar edhe disa mundësi të mira shënimi, por që nuk arritën të gjejnë rrugën e golit. Qysh në minutën e dytë Kosova pati mundësi të kalojë në epërsi, por gjuajtjen e Mirlind Dakut e priti portieri azer. Në minutën e 28-të Feka u përpoq ta gjejë golin nga distanca, por gjuajtja e tij shkoi mbi portë. Në anën tjetër azerët kërcënuan në minutën e 31-të, kur Jafarov depërtoi mjaft mirë, por në momentin e duhur reagoi Ardian Ismajli, duke evituar rrezikun. Në minutën e 37-të edhe Broja pati rast të mirë pas harkimit të Krasniqit, por gjuajtja e tij me kokë shkoi mbi portë. Dy minuta më vonë edhe Florent Hasani provoi gjuajtjen nga distanca, por topi nuk shkoi aty ku ishte synimi i lojtarit. Loja e mirë e tanëve vazhdoi edhe në pjesën e dytë. Në minutën e 47-të Lirim Kastrati, i cili debutoi në Kombëtaren U21 e shërbeu shumë mirë Hasanin, por gjuajtja e tij nuk ishte aq e fortë sa për ta mposhtur portierin. Kastrati depërtoi mjaft mirë edhe në minutën e 54-t por Broja për pak nuk arriti të gjuajë nga afërsia. Në mundësi të mira ishin edhe Bytyçi (61’) dhe Shabani (78’) por gjuajtjet e tyre nga distanca nuk e arritën cakun. Në minutat e fundit përkundër angazhimit maksimal dhe epërsisë numerike në fushë, lojtarët tanë nuk arritën të gjejnë golin e shumëdëshiruar dhe kësisoj regjistruan barazimin e parë për pikën e shtatë në Grupin 5. Ndeshjet e ardhshme Kosova U21 i luan në shtëpi kundër Azerbejxhanit dhe Gjermanisë, në mars të vitit të ardhshëm.
Deklaruan pas ndeshjes:
Rafet Prekazi: Pas atij nokdauni që e përjetuan djemtë në Mitrovicë kundër Izraelit, sonte treguan një lojë shumë të mirë, ku e kanë dominuar plotësisht kundërshtarin si me qarkulim të topit, ashtu edhe me raste. Akoma iu duhet edhe pak përvojë djemve sepse në këtë nivel të humbësh pesë-gjashtë raste dhe ato të gjitha nga aksionet e ndërtuara, më besoni që në fund kam menduar që mund të humbim si në ndeshjet tjera. Rezultati është joreal me atë çfarë u tregua në fushë. Kemi shpërdoruar shumë raste, por e them prapë se këta djemë janë e ardhmja e afërt dhe e sigurt e Kosovës.
Florian Loshaj: Patëm shumë raste, por nuk patëm fat. Sikur të shënonim gol në fillim do të kishim më shumë hapësira sepse do të ishin nën presion. Ne defansiv kemi qenë më mirë. Me këtë lojë mundemi të përparojmë shumë në të ardhmen. Me rëndësi është që të gjithë po e dimë se çka duam dhe tash ndeshje pas ndeshjes do të luajmë më mirë.
Ardian Ismajli: Ka qenë një ndeshje jashtëzakonisht e mire. Kemi domonuar gjatë gjithë kohës po na mungoi fati dhe goli. Jemi në rrugë të mirë i gjithë ekipi në çdo aspekt dhe besoj që në të ardhmen do të korrim shumë suksese tjera.
Lirim Kastrati: Jam shumë i lumtur që debutova në Kombëtaren U21. Do të jem gjithmonë i gatshëm të japë maksimumin për Kosovën pa marrë parasysh se në cilën grupmoshë luaj. I falënderoj djemtë e ekipit së bashku me stafin që më kanë bërë një pritje shumë të mirë. Sa i përket ndeshjes ishte e dominuar nga ne, por nuk e gjetëm rrugën e golit. Gjithsesi, kemi shumë ndeshje përpara dhe kjo do të na ndihmojë që të bëjmë paraqitje sa më të mira.
Azerbajxhani – Kosova 0:0 (0:0)
Stadiumi: Dalga Arena – Baku.
Gjyqtarë: R. Tarajev, H. Reinvald, N. Neemlaid e E. Saar
K.V. Mustafazede, krivostyck e Sadigov të (Azer)e Voca, Broja. (Kos)
K.K. Krivostyck s Sadigov të Azer.
Azerbajxhan: Ozhitay; Tashgin, Krivotsyuk, Mustafazade, Baloglu, Aliyev, Shahverdiyev, Nasirov, Jafarov(Mamedli(Nabiyev)
Kosova: Bekaj; Kolgeci, Ismajli, Feka, Hasani, Broja, Byryqi, Jashari(Voca), Daku(Kastrati), Krasniqi, Loshaj(Shabani).