11 nëntor, 2017 – Kombëtarja U21 ka mbajtur sot seancën e fundit stërvitore para udhëtimit në Azerbejxhan, ku të martën do të zhvillojë ndeshjen e radhës në kuadër të Grupit 5 në kualifikimet për Evropianin 2019. Në seancën e sotme stërvitore përzgjedhësi Rafet Prekazi me ndihmësit e tij, Erdogan Celina e Naser Prapashtica punuan në shumë segmente. Krahas punës tekniko-taktike në sulm, u punua edhe në transformimin e shpejtë nga mbrojtja në sulm dhe anasjelltas. Po ashtu, u provuan edhe disa skema nga gjuajtjet standarde si dhe lidhshmëria e aksioneve. Gjendja e futbollistëve është e mirë me përjashtim të Lirim Kastratit i cili pas seancës së djeshme stërvitore ka qenë me temperaturë të lartë dhe stafi mjekësor në krye me Mehmet Maxhunin, ka vendosur që ai të pushojë si dhe Dren Fekës, i cili në përfundim të seancës së sotme kishte shtrëngime të muskujve të këmbës. Sifoqoftë ekipi mjekësor do të përkujdeset që të dy këta futbollistë të jenë të gatshëm për sfidën e radhës. Stafi i trajnerëve ka punuar shumë edhe në aspektin mental gjatë këtyre ditëve, në mënyrë që të mos ketë demoralizim të lojtarëve pas humbjes nga Izraeli. Drejt Bakusë Kombëtarja U21 do të udhëtojë pa Arian Kabashin që është i pezulluar për shkak të kartonëve dhe Ardit Gashin që ka pësuar lëndim në ndeshjen me Izraelin.
Rafet Prekazi: Atmosfera në Kombëtaren U21 ka qenë çdo herë e mirë. Një humbje e tillë si ajo që na ndodhi kundër Izraelit normalisht se mundet me ndiku në atmosferën brenda ekipit, por obligim i yni si staf i trajnerëve është që ta menaxhojmë çdo situatë. Këta të gjithë janë futbollistë fantastik si në sjellje ashtu edhe në cilësi, por na duhet pak kohë derisa të komponohemi. Këta djemë janë e ardhmja e Kosovës dhe për këtë nuk kam aspak dyshim. Unë dua të promovojë lojtarët, por fillimisht ekipi duhet të indentifikohet me një stil të lojës. Kemi disa mungesa dhe sigurisht se do të ketë ndryshime kundër Azerbejxhanit.
Florent Hasani: Humbja kundër Izraelit na ka mërzit shumë, por tashmë e kemi harruar dhe jemi përqendruar maksimalisht në ndeshjen kundër Azerbejxhanit. Këto dy ditë kemi punuar taktikisht për atë ndeshje. Do të shkojmë atje dhe do t’i kemi edhe dy stërvitje tjera që të përgatitemi sa më mirë për atë sfidë dhe të marrim rezultat pozitiv. Edhe pse Azerbejxhani është në pozitën e fundit në grup, ne nuk do ta nënçmojmë aspak dhe do të japim maksimumin në fushë. Rezultati kundër Izrealit nuk ka qenë real dhe besoj se e kemi dëshmuar se ky ekip ka kapacitet për të marrë rezultat pozitiv në çdo ndeshje.
Dren Feka: Që pas ndeshjes me Izrealin kam ndjerë një dhimbje të lehtë në muskulin e këmbës së djathtë, por sot me rekomandimin e stafit mjekësor kah fundi i stërvitjes u tërhoqa. Shpresoj se në ditët e ardhshme kjo dhimbje të kalojë dhe të jem i gatshëm për sfidën me Azerbejxhanin. Nuk kemi shumë njohuri për kundështarin, por në dy ditët e ardhshme do ta analizojmë lojën e tyre dhe besoj se nëse luajmë sikur në minutat e para kundër Izraelit, atëherë nuk do të na mungojë rezultati pozitiv.
Lirim Kastrati: Është hera e parë që jam grumbulluar me Kombëtaren U21 dhe djemtë më kanë pritur shumë mirë. Shihet se të gjithë janë futbollistë shumë cilësor dhe po e japin maksimumin. Edhe në ndeshjen kundër Izraelit ishim më të mirë, por në futboll jo gjithmonë fiton më i miri. Me punën që po e bëjmë besoj se do të korrim sukses në Azerbejxhan.
Visar Bekaj: Jemi duke u munduar që të rikuperohemi sa ma shpejtë pas asaj humbje. Atmosfera në grup është e mirë dhe besoj se do të arrijmë t’i gëzohemi fitores në Azerbejxhan. Natyrisht se do të bëjmë lojë të sigurt, duke i kushtuar vëmendje mbrojtjes e më pas më kundërsulme ta ndëshkojmë rivalin.