8 qershor, 2017 – Kombëtarja e Kosovës U21 e ka zhvilluar sot në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë stërvitjen e fundit para udhëtimit në Norvegji. Edhe gjatë stërvitjes së sotme u vërejt një angazhim dhe përkushtim i madh i futbollistëve në stërvitje, derisa gëzon fakti se asnjë futbollist gjatë këtyre katër ditëve nuk është ankuar nga ndonjë lëndim. Ekspedita e Kombëtares U21 niset nesër në mëngjes nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” drejt Norvegjisë, ku të hënën më 12 qershor në Drammen do të luajë kundër ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2019.
Deklaruan pas stërvitjes së sotme
Rafet Prekazi: Edhe në stërvitjen e sotme u pa një angazhim dhe disiplinë për lakmi e futbollistëve. Ata janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes që na pret dhe po e japin maksimumin për t’u përgatitur sa më mirë. Futbollistët e ri janë përshtatur mirë me grupin dhe nuk vërehet ndonjë dallim i madh me pjesën tjetër. Në futboll loja kolektive është shumë me rëndësi dhe na gëzon fakti që ata janë ambientuar mirë.
 
 
Valmir Sulejmani: Jam pritur shumë mirë nga grupi i lojtarëve dhe gjatë këtyre katër ditëve jam adaptuar mirë. Normal dëshira ime do të ishte të luaja në Kombëtaren A, por kryesorja është të luaj dhe ta jap kontributin tim për Kosovën. Sigurisht se këtu e kam mundësinë për ta treguar vetën dhe më pas të ngjitem një shkallë më lartë, atje ku të gjithë futbollistët kanë dëshirë të jenë. Me këtë grup të futbollistëve besoj se do të arrijmë të fitojmë në Norvegji
 
Almir Ajzeraj:  Mendoj se për ndeshjen me Norvegjinë jemi shumë më të përgatitur se sa kundër Irlandës, pasi kemi pasur kohë më të madhe në dispozicion për t’u komponuar si ekip. Gjatë këtyre katër ditëve kemi punuar me intensitet të madh dhe po shihet që kemi ekip cilësor. Tash na mbetet që në Norvegji t’i tregojmë vlerat tona dhe të befasojmë me lojë të mirë, por edhe me rezultat.