30 gusht, 2017 – Kombëtarja U21 e ka zhvilluar sot stërvitjen e tretë në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e radhës kualifikuese për Evropianin 2019 kundër Norvegjisë, që zhvillohet të premten në stadiumin “Adem Jashari”, në orën 19:00. Kombëtarja U21 nesër në orën 17:00 do ta zhvillojë stërvitjen e fundit në stadiumin ku edhe do të luhet ndeshja për t’u ambientuar sa më mirë me fushën. Edhe në stërvitjen e sotme futbollistët u angazhuan maksimalisht, ku shtabi teknik në krye me Rafet Prekazin punuan më shumë në shmangien e gabimeve nga ndeshja e kaluar me norvegjezët, sidomos në harkimet nga krahët. Po ashtu, u provuan edhe disa skema sulmuese, veëçmas nga ndërperjet si dhe nga harkimet nga këndi. I pranishëm në stërvitjen e sotme ishte edhe futbollisti Valmir Sulejmani, i cili kishte ardhur nga Gjermania për t’i dhënë përkrahje bashkëlojtarëve të tij. Ai dy muaj më parë ka pësuar një lëndim të rëndë dhe është detyruar t’i nënshtrohet operacionit dhe për një kohë të jetë i detyruar të qëndrojë jashtë fushës së gjelbër. Sa i përket gjendjes së futbollistëve ajo në përgjithësi është e mirë, por për ndeshjen kundër Norvegjisë përzgjedhësi Prekazi nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Trojan Malokut, i cili ka pësuar një lëndim në këmbë, si dhe Besfort Kolgecit, i cili do të mungojë për shkak të dy kartonëve.
Deklaruan pas stërvitjes
Leonard Pllana: Jam i lumtur që sërish jam pjesë e Kombëtares U21. Në ndeshjen e kaluar në Norvegji kam munguar, ngase kam pasur mungesë të lojërave në skuadrën time, por tash e kam ndërruar klubin dhe jam duke luajtur rregullisht. Jam në formë të mirë dhe nëse më jepet mundësia do ta jap maksimumin në ndeshjen e së premtes. Për një sulmues është e rëndësishme të gjej golin dhe për mua do të ishte diçka e jashtëzakonshme nëse do të shënoja para tifozëve tanë.
Mirlind Daku: Është hera e parë që jam pjesë e Kombëtares U21 dhe ndihem shumë i nderuar që e bartë këtë fanellë. Jam pritur mirë në grupin e futbollistëve, ngase shumicën prej tyre i njoh dhe kemi raporte shumë të mira. Nëse më jepet rasti të luaj do të mundohem ta shfrytëzoj maksimalisht dhe të jap kontributin që pritet për ekipin. Do të jetë emocionuese për të gjithë ne që të luajmë para tifozëve tanë. Shpresoj të mos i zhgenjejmë.