28 gusht, 2017 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka mbajtur sot seancën e parë stërvitore në prag të dy ndeshjeve kualifikuese për Evropianin 2019, kundër Norvegjisë, më 1 shtator në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, përkatësisht kundër Gjermanisë, më 5 shtator në Osnabruck. Stërvitja është zhvilluar në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq dhe atë nga afër e kanë ndjekur edhe përzgjedhësi i Kombëtares A, Albert Bunjaku me ndihmësin e tij, Muharrem Sahiti, si dhe drejtori teknik, Michael Nees.  Stërvitja e parë ka shërbyer më shumë si rigjenerim për futbollistët, ngase shumica prej tyre në fundjavë kanë zhvilluar lojë, prandaj kjo ka qenë arsye që përzgjedhësi, Rafet Prekazi dhe ndihmësit e tij, Erdogan Celina e Naser Prapashtica të mos i ngarkojnë shumë futbollistët në këtë seancë stërvitore. Gjithsesi, atmosfera në ekip është shumë e mirë, me disa ndryshime në përbërje për shkak të lëndimeve të disa prej futbollistëve që ishin pjesë e ekspeditës së Kombëtares U21 në ndeshjen e kaluar në Norvegji. Për dallim nga ndeshja e kaluar në Drammen, kësaj radhe Prekazi nuk do të ketë në dispozicion dy lojtarët e Kombëtares A, Besart Celinën dhe Valmir Sulejmanin. Celina është me grip, derisa Sulejmani është i lënduar.
Deklaruan pas stërvitjes
Rafet Prekazi: Kemi vetëm dy mungesa në stërvitjen e sotme për shkaqe objektive, pasi Ardian Ismajli dhe Ardit Gashi pritet të mbërrijnë gjatë mbrëmjes së sotme, derisa djemtë e tjerë kanë qenë të përpiktë. Kjo stërvitje më shumë ishte rigjenerim, por të gjithë futbollistët u angazhuan maksimalisht dhe treguan seriozitet në punë. Ky fakt na jep shpresë se jo vetëm për këto dy ndeshje që kemi para vetës, por në përgjithësi këta djemë kanë të ardhme të mirë. Normalisht, ende duhet përmirësuar disa gjëra si taktikisht ashtu edhe fitimin e përvojës, por hap pas hapi besoj se do të vijmë duke u ngritur.
 
Kamer Krasniqi: Jam i lumtur që sërish jam pjesë e Kombëtares U21. Sot bëmë një stërvitje pa ndonjë ngarkesë të madhe dhe gjith]ka shkoi si] është më së  miri. Shpresoj se edhe në ditët e ardhshme gjithëka do të shkojë mirë dhe të përgatitemi sa më mirë për sfidën me Norvegjinë. Tash i njohim cilësitë e norvegjezëve dhe do të mundohemi t’i evitojmë gabimet që i kemi shfaqur në ndeshjen e kaluar.
 
 
Besfort Kolgeci: Tek të gjithë bashkëlojtarët vërehet një motiv i madh për punë dhe besoj se do të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e së premtes. Në ndeshjen e kaluar kemi bërë disa gabime, të cilat sigurisht se tani do t’i evitojmë. Shpresoj që do të japim më të mirën e mundshme dhe të mos i zhgënjejmë tifozët tanë.