5 shtator, 2017 – Kombëtarja U21 ka pësuar humbje me rezultat të ngushtë në duel me Gjermaninë, 1:0, në ndeshjen që u zhvillua në Osnabruck, në kuadër të Grupit të 5-të të kualifikimeve për Evropianin 2019. Djelmoshat tanë patën një paraqitje shumë të mirë, sidomos në aspektin tekniko-taktik, duke u treguar rivalë të barabartë me një superfuqi të futbollit botëror siç është Gjermania. Megjithatë, një pakujdesi të vogël në minutën e 45-të u kushtoi djelmoshave të Rafet Prekazit, kur Maximilian Eggestein shënoi me gjuajtje të fortë nga vija e 16-metërshit.Një pjesë e madhe e tifozëve të pranishëm në stadiumin ishin bashkëatdhetarë tanë që jetojnë në Gjermani, të cilët vazhdimisht i përkrahën djelmoshat tanë dhe në fund i duartrokitën për paraqitjen e treguar në këtë ndeshje. Gjermanët, të cilët në përbërjen e tyre kishin 5 kampionë evropianë, dominuan ndeshjen sa i përket zotërimit të topit, por hasën në një mbrojtje tejet të organizuar të kombëtares tonë. Pas kësaj humbje Kosova mbetet në kuotën e 6 pikëve dhe zë pozitën e dytë në grup, derisa Irlanda kryeson po ashtu me 6 pikë, por me dy ndeshje të zhvilluara. Ndërkohë, për Gjermaninë kjo ishte ndeshja e parë në këto kualifikime.
Gjermania  1
Kosova       0
Stadiumi “Osnatel Arena” në Osnabruck
Shikues: 5331
Gjyqtarë: D. Muntean, A. Bodean, V. Ermischin (Moldavi)
Kartonë të verdhë: Anton, Waldschmidt.
Shënues: Maximilian Eggestein (45’).
Gjermania: Nubel, Klostermann, Baugartl, Anton, Oztunali, M. Eggestein, Amiri, Horn, Hartel (Waldschmidt), J. Eggestein (Serra), Kehrer.
Kosova: Bekaj, Kabashi (Jashari), Loshaj, Kolgeci, Ismajli, Voca, Mema, Krasniqi, Gashi (Shabani), Hasani, Bytyqi (Pllana).
 
Deklaruan pas ndeshjes
Rafet Prekazi: Kemi zhvilluar një ndeshje të shkëlqyeshme në aspektin taktik përballë një superfuqie të futbollit. I përgëzoj djemtë që dhanë maksimumin edhe në këtë sfidë, kur dihet se vetëm katër ditë më parë kemi luajtur një ndeshje tjetër shumë të fortë. Natyrisht se do të dëshironim që ta kishim edhe rezultatin pozitiv, por një moment të vogël shpërqendrimi në mbrojtjen tonë gjermanët e shfrytëzuan maksimalisht. Qëllimi ynë është që të rritemi si skuadër, sepse jemi në fillimet tona dhe këtë po e arrijmë me sukses. Sonte dëshmuam se nuk jemi kafshatë e lehtë as për një superfuqi siç është Gjermania. I falënderoj nga zemra në emër të gjithë ekipit bashkëatdhetarët tanë për mbështetjen që na e dhanë.
Ardian Ismajli: Kemi bërë një paraqitje jashtëzakonisht të mirë, por fati nuk ishte në anën tonë, ngase pësuam gol në minutën e fundit të pjesës së parë. Sidoqoftë, besoj se me këta futbollistë, me këtë kualitet që kemi dhe me këtë shpirt luftarak do të kemi rezultate pozitive në ndeshjet e ardhshme, ashtu siç bëmë me Norvegjinë.

Kamer Krasniqi:
Fillimisht i falënderoj të gjithë shqiptarët që ishin në stadium, sepse na dhanë përkrahje të madhe. Kemi luftuar dhe e kemi lënë shpirtin në fushë. Dëshmuam se jemi komb luftarak, por fatkeqësisht pësuam gol nga një pakujdesi në mbrojtje. Sidoqoftë , duhet të jemi krenar me lojën që kemi treguar sepse Gjermania është shumë ekip cilësor. Në mbrojtje kemi luajtur shumë mirë, por në sulm na mbetet të përmirësohemi ende.

Waldemar Anton, futbollist i Gjermanisë:
Kosova ka luajtur shumë mirë dhe ka qenë shumë e organizuar në mbrojtje. Po ashtu, edhe në kundësulme keni qenë të rrezikshëm dhe për asnjë moment nuk kemi mundur të qëndrojmë të qetë. E kemi kërkuar vazhdimisht edhe golin e dytë, por nuk kemi arritur ta shpërthejmë mbrojtjen tuaj. Ju përgëzoj për lojën e treguar dhe ju uroj suksese në ndeshjet e ardhshme.