31 gusht, 2017 – Kombëtarja e Kosovës U21 e ka zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore për ndeshjen kundër Norvegjisë, që zhvillohet nesër në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, në orën 19:00. Stërvitja e fundit më shumë ka shërbyer që futbollistët të ambientohen me fushën e stadiumit, por shtabi teknik në krye me Rafet Prekazin ka provuar edhe disa skema në sulm, si dhe janë ushtruar edhe gjuajtjet standarde. Gjendja e futbollistëve në përgjithësi është e mirë, derisa motivi i tyre për të dëshmuar lojë sa më cilësore para tifozëve vendas është i madh. Stërvitjen e sotme e kanë ndjekur nga afër edhe anëtari i KE të FFK-së, Xhelal Broja, drejtori teknik, Michael Nees, si dhe drejtori i kombëtareve dhe për marrëdhënie me jashtë, Artan Govori. Ndërkohë, stadiumin “Adem Jashari” e ka inspektuar për disa çaste edhe delegati i UEFA-s, Jean Francois Crucke.
Pas stërvitjes së Kombëtares së Kosovës, në fushën e stadiumit “Adem Jashari” kanë zbarkuar edhe futbollistët norvegjezë, të cilët kanë mbajtur për rreth një orë. Do theksuar se FFK ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për ndeshjen e nesërme, derisa fusha është në gjendje të shkëlqyeshme.
Pas stërvitjes deklaruan:
Rafet Prekazi: Kemi punuar maksimalisht gjatë këtyre ndeshjeve dhe e kemi analizuar në detaje lojën e Norvegjisë. Djemtë kanë qenë të përkushtuar gjatë gjithë kohës dhe janë jashtëzakonisht të motivuar që të japin më të mirën e tyre. Ne jemi të vetëdijshëm për kualitetet e kundërshtarit, por nëse arrijmë t’i shmangim ato gabime që kemi shfaqur në ndeshjen e kaluar, atëherë mund të marrim edhe rezultat pozitiv, pasi lojtarët tanë luajnë me zemër. Shpresoj që nesër djemtë tanë do ta kenë edhe përkrahjen e tifozëve, pasi ata do t’i jepnin shtysë për ta përballuar me sukses një kundërshtar të vështirë sië është Norvegjia.
Arian Kabashi: Gjatë këtyre ditëve kemi punuar shumë në evitimin e gabimeve nga ndeshja e parë. Rezultati i ndeshjes në Drammen nuk ka qenë real, por duhet të jemi maksimalisht të përqendruar në lojë dhe t’i shfrytëzojmë rastet që na ofrohen. Ekipi duket më kompakt, andaj besoj se do të kemi paraqitje shumë më të mirë se në Norvegji.
Florian Loshaj: Jam për herë të parë në Kombëtare dhe jam i nderuar që e bartë këtë fanellë. E kam parë ndeshjen me Norvegjinë në video dhe kam vërejtur se ata kanë një qarkullim të shpejtë të topit. Neve na mbetet që të luajmë sa më mirë taktikisht, ngase në atë ndeshje i kemi lejuar kundërshtarit shumë hapësira. Po ashtu, nuk duhet të lejojmë të shpërdorojmë aq shumë raste siç ka ndodhur në ndeshjen në Drammen. Pres që të ketë sa më shumë shikues, sepse kur e ke përkrahjen e tyre ajo të jepë forcë shtesë.
Ardit Gashi: Mendoj se jemi përmirësuar shumë nga ndeshja e kaluar. Tash e dimë se ku kemi gabuar dhe shpresoj se nuk do t’i përsërisim të njëjtat gjëra. Gjithashtu duhet të jemi më efikas në fazën e sulmit, ngase në ndeshje të tilla nuk të jepen shumë raste për gol. Jemi në vendin tonë dhe shpresoj se në fund do t’i japim tifozëve një rezultat të kënaqshëm.