4 korrik, 2024 – Komisioni i Garave për ligat e vajzave/grave mbajti një takim me përfaqësuesit e ekipeve të Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës U-17. Ky takim kishte për qëllim njoftimin e ekipeve për përgatitjet e kampionatit të ri 2024/2025 si dhe diskutimin e çështjeve të ndryshme që preokupojnë klubet e futbollit të vajzave/grave në vendin tonë.
Në fillim të takimit, anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe njëherësh kryetarja e Komisionit për futbollin e vajzave/grave, Vjollca Krasniqi, përgëzoi ekipet që arritën sukses në edicionin e kaluar dhe foli për garën në përgjithësi. Krasniqi theksoi rëndësinë e përgatitjeve të mirëfillta për edicionin e ri dhe inkurajoi ekipet që të vazhdojnë angazhimin e tyre për të përmirësuar nivelin e futbollit të vajzave/grave në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, Lindita Cena, kryetare e Komisionit të Garave, prezantoi një raport të detajuar të edicionit të kaluar, duke përfshirë statistika të ndryshme dhe sfidat me të cilat janë përballur klubet dhe organet e FFK-së. Me këtë rast, Valbona Gashi Uka, shefe e futbollit për vajza/gra tha se duhet të merren masa për evitimin e këtyre telasheve në kampionatin e ri, me qëllim të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të qëndrueshëm për zhvillimin e futbollit të vajzave/grave.