7 qershor, 2017 – Komiteti Ekzekutiv (KE) i FFK-së, mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e Fadil Vokrrit president, ku diskutoi për shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. KE shqyrtoi dhe miratoi raportin financiar për vitin 2016. Po ashtu KE analizoi dhe rrjedhën e kampionatit 2016/2017 dhe pas shumë diskutimeve u konstatua se ky ishte njëri ndër kampionatet më të mira dhe më të rregullta. Natyrisht se pati edhe dobësitë, por me angazhimin e të gjitha organeve u mënjanuan ato. Fitorja e Besës ndaj Llapit në ndeshjen finale të kupës, fitorja e Vllaznisë së Pozharanit ndaj Ferizaj si dhe fitorja e Kikës nga Hogoshti nga Ulpiana kanë demantuar zërat për kurdisje eventuale. Po ashtu KE caktoi 25 gushtin si datë kur do të mbahet Kuvendi i rregullt i punës i FFK-së. KE mori vendim po ashtu të fillohet me përgatitjen për kampionatin e ri, me theks të veçantë që kriteret për pranimin e fushave të futbollit të zbatohen me rigorozitet dhe përpikëri si dhe të obligohen klubet të caktojnë dhe të rregullojnë vendin për media. Po ashtu KE edhe njëherë theksoi nevojën për funksionalizimin e Lidhjeve Rajonale të Futbollit, për çka do të ketë seminare për sekretar të LRF-ve dhe të klubeve sepse do të nisë regjistrimi i futbollistëve online.