12 prill, 2024 – Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, sot, mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi. Në këtë mbledhje KE analizoi gjendjen aktuale në futbollin e Kosovës dhe rrjedhën e kampionatit. Me këtë rast, KE konstatoi se rrjedha e garave në stinorin pranveror është në vlugun e vet më të madh, e ku kemi një garë të pakompromis në Superligë. Sa i përket ndeshjes së Raiffeisen Ligës së Parë, Ulpiana 1926 – Vllaznia, KE sqaron opinionin se komisionet dhe organet përkatëse do të vendosin konform fakteve dhe rregulloreve të FFK-së dhe ligjit të aplikueshëm.
KE siguron të gjithë se FFK-ja është e përkushtuar që ta mbrojë integritetin e garave dhe rregullsinë e tyre në të gjitha nivelet garuese. Prandaj, duke pasur parasysh edhe ndeshjet e xhiros së fundit dhe inicimet nga Komisioni i Garave, KE i FFK-së i jep mbështetje të plotë komisioneve të veta, atij të Garave dhe atij Disiplinor, si dhe institucioneve ligjzbatuese që t’i analizojnë në detaje çdo fakt dhe pretendim dhe të marrin vendime të drejta konform rregulloreve dhe ligjit të aplikueshëm.
KE i FFK-së zotohet se do të jetë gjithmonë në mbrojtje të interesit të futbollit, për çka edhe është i thirrur. Kur themi interesin e futbollit, gjithsesi edhe interesin e klubeve, por vetëm atëherë kur gjithçka shkon në rregull e konform rregullave të lojës, në të kundërt do të ketë zero tolerancë ndaj çdo veprimi apo dukurie negative.
Gjatë kësaj mbledhje, KE diskutoi edhe për çështje tjera, në veçanti për aktivitetet e ekipeve kombëtare. U përgëzua paraqitja e mirë e Kombëtares U21 ndaj Gjermanisë, si dhe suksesi i arritur i Kombëtares së vajzave U19, që u promovua në Ligën A për kualifikimet e Kampionatit Evropian. Gjithsesi, fokusi do të jetë te Kombëtarja A dhe bashkë me stafin e ekipit po bëhen parapërgatitjet e duhura për të qenë sa më të gatshëm për shtator, kur fillon edicioni i ri i Ligës së Kombeve.
Në këtë takim u diskutua edhe për rinovimin e fushës ‘Fadil Vokrri”, e cila po bëhet fushë e nivelit më të lartë, çfarë janë edhe fushat e stadiumeve më të mira në tërë botën. Punimet po kryhen nga një kompani, e cila i ka bërë fushat hibrid në stadiumet më të famshme evropiane dhe ky projekt po realizohet nën mbikqyrjen e MKRS-së dhe me investimin e përbashkët me FFK-në. Ecuria e punimeve po shkon mirë dhe sipas planifikimeve kjo fushë do të jetë e gatshme për zhvillimin e ndeshjeve nga korriku. Gjithashtu, u diskutua edhe për fushat nëpër regjione dhe klube të ndryshme të cilat janë të parapara në bazë të projektit të FFK-së.
Në fund, KE shqyrtoi edhe kërkesat e parashtresat e tjera drejtuar këtij organi.