28 shkurt, 2018 – Federata e Futbollit e Kosovës, ka marrë sot edhe një mbështetje të madhe drejt ndërtimit të Kompleksit të Qendrës sportive për edukim dhe trajnim nga ana e Asamblesë Komunale të Obiliqit. Kështu në mbledhjen e rregullt të Kuvendit Komunal të Obiliqit që u mbajt sot, ndër pikat e rendit të ditës, ishte edhe kërkesa e Federatës së Futbollit të Kosovës, për dhënien në shfrytëzim për 25 vite të kompleksit sportiv “Agron Rama”, FFK-së. Me 19 vota për dhe 2 abstenime, asamblistët e Kuvendit Komunal miratuan këtë kërkesë e cila do t’i hapë rrugë investimeve fillestare në vlerë prej 3 milion euro. Pas aprovimit të kësaj kërkese, kryetari i komunës, Xhafer Gashi, u shpreh i kënaqur me këtë vendim të Kuvendit Komunal dhe me investimin e UEFA-së që do të bëhet në këtë kompleks sportiv, veçanërisht e falënderoi presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri për shtytjen që i ka dhënë këtij investimi kaq të rëndësishëm. Ndërkaq që Asamblesë komunale iu drejtua edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri , duke falënderuar kryetarin Gashi dhe gjithë asamblistët që e miratuan këtë kërkesë të FFK-së që është shumë me rëndësi për zhvillimin e futbollit të Kosovës. Me ndërtimin e këtij Kompleksi ku do të jetë qendra e edukimit dhe e trajnimit sportiv Komuna e Obiliqit do të shndërrohet në një komunë me veçori të veçanta sportive.