18 gusht, 2016 – Sot u mbajt konferencë me gazetarë në hotel “Emerald”, ku kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri shpalosi më të rejat në shtëpinë e futbollit të Kosovës. Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe sekretari i përgjithshëm, z. Eroll Salihu, zyrtari UEFA-s përgjegjës për projekte z. Thierry Favre, drejtori i përgjithshëm i Vala z. Agron Mustafa si dhe nënkryetarët Agim Ademi, Bekim Haxhiu dhe anëtari i KE Flamur Bunjaku. Duke i përshëndetur të pranishmit kryetari Fadil Vokrri, theksoi se janë dy arsye pse sot po mbajmë këtë konferencë me gazetarë. Arsyeja e parë është projekti ‘Het trik’ nga UEFA dhe me këtë rast kryetari Vokrri ka falënderuar z. Favre, i cili është angazhuar shumë që ta mbështesë FFK-në në projekte, sidomos në dy projekte, atë të kompleksit sportiv të FFK-së që do të ndërtohet në Kastriot dhe në projektin për ndihmë klubeve të futbollit. Ndërsa z. Thierry Favre ka përshëndetur të pranishmit në gjuhën shqipe, duke thënë se kjo nuk është hera e parë që gjendet në Kosovë, ndërsa ndjehet i privilegjuar që mund të komunikojë vendimin e Komisionit për Projekte pranë UEFA-s për mbështetjen e FFK-së në Projektin për ndërtimin e Kompleksit sportivë të FFK-së në Kastriot dhe Projekti i dytë në mbështetjen e klubeve për përmirësimin e infrastrukturës. Këto projekte me të cilat ka konkurruar FFK-ja falë angazhimit të madh të kryetarit Vokrri dhe sekretarit Salihu tashmë janë miratuar dhe do të fillojë implementimi i tyre. Në këtë drejtim kryetari Vokrri ka sqaruar se mbështetja për klubet konsiston në përmirësimin e kushteve për gazetarë dhe rregullimin e zhveshtoreve. [youtube height=”HEIGHT” width=”WIDTH”]PLACE_LINK_HERE[/youtube] Arsyeja e dytë pse sot po takohemi këtu ka thënë kryetari Vokrri, është se nga sot Superliga e Kosovës në futboll do të quhet “Vala Superliga” e Kosovës. Duke falënderuar sponsorin e deritashëm Raiffesien Bank, e cila ishte sponsor në një kohë shumë të vështirë, kryetari Vokrri theksoi se Vala edhe njëherë dëshmoi se është e Kosovës, duke i dhënë mbështetje futbollit të Kosovës. Kryetari Fadil Vokrri bëri të ditur se të gjitha mjetet do t’i ndahen klubeve prej vendit të parë deri në vendin e pestë dhe atë: vendi i parë 35 mijë euro, vendi i dytë 20 mijë euro, vendi i tretë 15 mijë euro, vendi i katërt 10 mijë euro dhe vendi i pestë 5 mijë euro. Ndërkaq, drejtori i “Vala”, z. Agron Mustafa me këtë rast theksoi: ”Pas shqyrtimit të kërkesës së FFK-së kemi marrë vendim që të kemi një bashkëpunim më FFK-në si një partner të mirë për përfitim të dyanshëm sepse si FFK-ja edhe Vala ka interesin e vet me hapësirën që do të kemi për promovimin e punës tonë dhe jemi të privilegjuar që mund ta ndihmojmë zhvillimin e futbollit të Kosovës, pas pranimit në UEFA dhe FIFA”.