Sot më 28 mars kryetari i i FFK-së z. Fadil Vokrii, mbajti një konferencë me media, ku gazetarët i njohu për më të rejat në futbollin e Kosovës. Duke i përshëndetur mediat dhe duke i falënderuar për pasqyrimin tejet korrekt të ndeshjes së parë ndërkombëtare Kosova-Haiti, Vokrri ka thënë: “Pas disa dilemave të shfaqura rreth zhvillimit të ndeshjes me Turqinë, kam kënaqësinë që t’ju njoftoj se tashmë përfundimisht Federata e Turqisë e ka dërguar konfirmimin zyrtar duke shprehur kënaqësinë që do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Kosovën më 21 maj në Kosovë, ndaj kjo na bën që të heqim çdo mëdyshje që mund ta ketë pasur opinioni. Po ashtu meqë jemi këtu jam i lumtur që opinionit futbolldashës t’ua jap edhe një lajm që Përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë një tjetër ndeshje më 25 maj në Gjenevë kundër po ashtu një ekipi respektabil kombëtarë kundër përfaqësueses së Senegalit. Kështu që më 21 maj do t’u ofrojmë kënaqësinë e lojës së futbollit të gjithë adhuruesve në Kosovë, ndërsa më 25 maj në Gjenevë komunitetit shqiptarë përkatësisht mërgimtarëve tanë që janë në numër të madh në Zvicër të kenë mundësinë që ta ndjekim nga afër përfaqësuesen e Kosovës”, ka theksuar Vokrri, për të shtuar: “Sa i përket asaj se ku do ta zhvillojmë ndeshjen kundër Turqisë unë vazhdojë të këmbëngul që kjo ndeshje të zhvillohet në kryeqytet dhe u bëjë apel të gjithë faktorëve relevant që në mënyrë të ngutshme të bëjnë gjithçka është e mundur që ky stadium të rinovohet dhe të bëhet i gatshëm për ndeshjen e 21 majit, ndryshe alternativë mbetet stadiumi në Mitrovicë. Unë kam thënë se një kryeqytet pa një stadium futbolli është i mangët. Si do që të jetë ne do të vazhdojmë të zhvillojmë ndeshje ndërkombëtare dhe kjo sigurisht se do ta na ndihmojë që sa më shpejt të bëhemi edhe pjesë e mekanizmave ndërkombëtare dhe të vazhdojmë t’i bindim faktorët ndërkombëtarë sikur edhe në ndeshjen e parë që ne aty e kemi vendin e merituar”.