7 qershor, 2019 – Kombëtarja e Kosovës e ka vazhduar serinë pa humbje prej 13 ndeshjesh, teksa të premten në Podgoricë ka barazuar me rezultat 1:1 kundër Malit të Zi, në ndeshjen kualifikuese për Euro 2020, e cila u zhvillua pa praninë e tifozëve për shkak se Federata malazeze ishte dënuar nga UEFA për shkak të thirrjeve raciste në ndeshjen e kaluar kundër Anglisë. Futbollistët tanë e nisën shumë mirë ndeshjen dhe arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 23-të, me golin e shënuar nga Milot Rashica. Me këtë epërsi Dardanët shkuan në pushim, por gjërat për ekipin e drejtuar nga Bernard Challandes u vështirësuan kur Arbër Zeneli u detyrua ta braktisë fushën për shkak të një lëndimi. Edhe në pjesën e dytë futbollistët tanë e menaxhuan lojën dhe deri në minutën e 69-të e ruajtën epërsinë e krijuar me sukses. Megjithatë në këtë periudhë kohore erdhi ndëshkimi nga ana e malazezëve, kur Stefan Mugosha barazoi shifrat në 1:1. Në minutat e mbetur loja kryesisht u zhvillua në gjysmëfushën malazeze, por përkundër rasteve të krijuara Rashica, Muriqi e Zhegrova nuk e gjetën golin e fitores. Për Dardanët ky ishte barazimi i dytë radhazi në kualifikueset e Euro 2020, pas atij barazimi me Bullgarinë në Prishtinë. Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon të hënën në Sofje pikërisht kundër Bullgarisë.