24 mars, 2021 – Kombëtarja e Kosovës e ka nisur mbarë vitin 2021, duke shënuar fitore bindëse në ndeshjen miqësore kundër Lituanisë. Ndeshja e zhvilluar të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë u mbyll me shifrat 4:0. Kësisoj, Dardanët hyjnë në fushatën kualifikuese për Botërorin 2022 të motivuar maksimalisht dhe me shpresa për rezultate tjera madhore. Dardanët gjatë tërë ndeshjes ishin më të mirë se rivali, teksa rezultatin e zhbllokuan në minutën e 27-të me golin e Arbër Zenelit. Pas këtij goli dy mundësi tjera të mira i patën Rashica dhe sërish Zeneli, por nuk u treguan efikas, derisa lituanët e kërcënuan portën e Samir Ujkanit në minutat e fundit të pjesës së parë. Në pjesën e dytë përzgjedhësi Challandes bëri ndryshim në formacion, teksa goli i dytë erdhi në minutën e 63-të kur Vedat Muriqi e ktheu në gol një harkim të bukur të Milot Rashicës, derisa tetë minuta më vonë Arbër Zeneli shënoi sërish, kësaj radhe me gjuajtje nga distanca. Ndërkaq, rezultatin përfundimtar e vulosi Besar Halimi, i cili e finalizoi me sukses një depërtim të bukur në zonë në minutën e 79-të. Pas katër ditësh Kosova do të luajë kundër Suedisë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katar 2022” në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa më 31 mars do të luajë kundër Spanjës në Sevilla.