29 maj, 2018 – Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore me rezultat bindës 3:0, në miqësoren kundër Kombëtares së Shqipërisë, që u zhvillua në stadiumin “Letzigrund” në Cyrih.
Përveç spektaklit që dhuruan futbollistët e Kosovës me një paraqitje fantastike në fushën e gjelbër, atmosferë shumë të mirë dhuruan edhe bashkëatdhetarët tanë të cilët përkrahën parreshtur të dyja ekipet, derisa duartrokitën gjatë lojën e bukur të djelmoshave të drejtuar nga Bernard Challandes.
Kosova ishte shumë mirë e vendosur në fushë, e disiplinuar në aspektin taktik dhe kishte qarkullim të shkëlqyeshëm të topit. ‘Dardanët’ e nisën furishëm ndeshjen, duke krijuar mundësi për gol qysh në minutën e dytë, kur Donis Avdijaj doli para portierit Etrit Berisha, por ky i fundit doli fitimtar.
Megjithatë, loja e mirë e Kosovës solli rezultatin në minutën e 20-të, kur Arbër Zeneli shënoi pas një asistimi të shkëlqyeshëm të Besar Halimit. Këtë epërsi djelmoshat e Challandes e administruan pa problem deri në fund të pjesës së parë, duke shkuar në pushim të relaksuar. Kosova e nisi mirë edhe pjesën e dytë, me aksione të rrjedhshme, duke shënuar në minutën e 50-të edhe golin e dytë me një super gol të Arbër Zenelit.
Ndërkohë, golin e tretë dhe rezultatin përfundimtar 3:0 e vundosi talenti i jashtëzakonshëm, Edon Zhegrova, në minutën e 67-të,  me një gol tjetër spektakular. Kosova pati edhe disa raste tjera të mira, por ishte portierit Etrit Berisha që reagoi mirë, derisa në minutat e fundit golin Kosovës ia mohoi shtylla pingule pas gjuajtjes së Shqiprim Taipit. Për Challandes kjo ishte fitorja e tretë në po aq ndeshje nën drejtimin e Kosovës.