2 shkurt, 2019 – Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore edhe në duel me Andorën në kuadër të parakualifikimeve për Kampionatin Botëror “Lituania 2020” në futsall dhe kësisoj e ka siguruar pjesëmarrjen në rrethin e ardhshëm kualifikues “Main Round”.

Pas fitores kundër Norvegjisë,  djelmoshat  e Ramadan Cimilit e mposhtën Andorën, me rezultat 5:3, duke i mbyllur garat e Grupit B të parakualifikimeve në Minsk të Bjellorusisë me 6 pikë.

Tre gola për Kosovën i shënoi Ramadan Alaj, derisa me nga një gol kontribuan Oso Gjinovci dhe Dardan Topilla.