24 mars, 2022 – Kombëtarja e Kosovës e ka nisur furishëm vitin 2022, duke shënuar fitore në miqësoren kundër Burkina Fasos, me rezultat bindës 5:0. Kjo ishte ndeshja e parë e Dardanëve nën drejtimin e përzgjedhësit të ri, Alain Giresse. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” nisi me një minutë heshtje në shenjë nderimi për ish-sekretaren amerikane dhe miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright, e cila dje ndërroi jetë. Dardanët dhuruan spektakël në këtë ndeshje, edhe pse Giresse preferoi ta nisë lojën pa disa prej lojtarëve titullarë. Serinë e golave e nisi Fidan Aliti, në minutën e tretë pas asistimit të Zhegrovës, derisa 20 minuta më vonë epërsinë e shtoi Astrit Selmani, pas asistimit të Rashicës. Loja e mirë e Dardanëve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku realizuan edhe tre gola tjetër. Mërgim Vojvoda realizoi për 3:0 në minutën e 53-të, ku sërish asistues ishte Milot Rashica. E ky i fundit në minutën e 68-të shënoi gol të shkëlqyeshëm. Ndërkaq, rezultatin përfundimtar e vendosi Toni Domgjoni në minutën e 75-të. Paraqitje mbresëlënëse pati edhe portieri Samir Ujkani, i cili realizoi disa pritje, në mesin e të cilave edhe gjuajtjen e Tapsobas nga penalltia, në minutën e 65-të. E në këtë ndeshje debutoi edhe futbollisti i Superligës, Lumbardh Dellova, të cilit trajneri francez ia rezervoi 20 minuta lojë. Kjo është fitorja e parë e Kosovës pas katër humbjeve dhe dy barazimeve. Ndeshjen e radhës Dardanët e zhvillojnë më 29 mars kundër Zvicrës në Cyrih.