9 qershor, 2022 – Kombëtarja e Kosovës ka realizuar fitoren e dytë në kuadër të edicionit të ri në Ligën e Kombeve. Dardanët, të enjten në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri”, kanë mundur Irlandën e Veriut, me rezultat 3:2, në kuadër të Grupit 2 të Ligës C. Për Kosovën kjo ishte fitorja e dytë në tri ndeshje të zhvilluara, derisa të dielën do të luajë ndeshjen e fundit të këtij muaji në Volos kundër Greqisë. Kjo e fundit aktualisht kryeson renditjen me 9 pikë, derisa Kosova zë pozitën e dytë me 6 pikë. Dardanët e nisën ndeshjen furishëm të përkrahur maksimalisht edhe nga tifozët, teksa golin e epërsisë e gjetën pikërisht në minutën e 9-të. Ishte Vedat Muriqi që realizoi nga pika e bardhë, ngase paraprakisht Milot Rashica u pengua brenda zonës së 16-metërshit nga mbrojtja mysafire. As pas këtij goli futbollistët e Kosovës nuk u ndalën dhe krijuan disa raste të njëpasnjëshme, teksa e finalizuan atë të minutës së 19-të, kur shënoi Zymer Berisha shënoi gol të bukur, pas asistimit të shkëlqyeshëm të Rashicës. Ndonëse Kosova e mbizotëroi tërë pjesën e parë, në fund një pakujdesi e vogël në mbrojtje i kushtoi me gol. Ishte minuta e 44-t kur Shayne Lavery shënoi thuajse nga vija e portës me kokë. Edhe pjesa e dytë nisi mirë për Dardanët, që në minutën e 52-të shënuan edhe golin e tretë. Kësaj radhe Muriqi realizoi nga afërsia pas harkimit të Lirim Kastratit. Në minutat e fundit mysafirët arritën të bëjnë trysni drejt portës së Ujkanit dhe në minutën e 83-të edhe të shënojnë golin e dytë, kur Daniel Ballard shënoi me gjuajtje me kokë. Ky gol i dha mundësi mysafirëve që të krijojnë presion të vazhdueshëm në minutat e mbetura, por fatmirësisht shifrat mbeten në dobi të Kosovës, 3:2. Kësisoj, festa ishte e Dardanëve, derisa fitorja ishte si dedikim për Legjendën Fadil Vokrri, në përvjetorin e katërt të vdekjes së tij.