4 qershor, 2021 – Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore në miqësoren e dytë të qershorit kundër Maltës. Ndeshja e zhvilluar në “Wörthersee Stadion” në Klagenfurt u mbyll me shifrat 2:1. Kosova e dominoi ndeshjen, por një gol në minutën e fundit të pjesës së parë i vështirësoi më pas gjërat. Dardanët e nisën mirë ndeshjen dhe kaluan në epërsi në minutën e 19-të, me golin e Milot Rashicës pas asistimit të Lirim Kastratit. Pas këtij goli djemtë tanë patën edhe disa mundësi shumë të mira për ta ngritur epërsinë, por nuk u treguan efikas në përfundim të aksioneve. Në anën tjetër, maltezët arritën të shënojnë në minutën e 45-të në mundësinë e vetme, kur Shaun Dimechit shënoi nga afërsia pas devijimit të topit nga mbrojtja jonë. Në pjesën e dytë futbollistët tanë krijuan disa raste tjera, por goli i fitores erdhi vetëm në minutën e 85-të, kur Rashica shënoi sërish, duke përfituar nga një gabim i mbrojtjes malteze. Në fund, ishin maltezët që bën presion në portën tonë, por Visar Bekaj intervenoi mjaft mirë në dy raste, duke e ruajtur epërsinë e krijuar.