3 mars, 2022 – Kombëtarja e Kosovës e ka fituar trofeun e edicionit të 13-të të turneut tradicional në futsall në kujtim të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Ky turne mbahet në çdo fillim të muajit mars në organizim të FFK-së, në kuadër të manifestimeve “Jetojmë me Lavdinë Tuaj”. Dardanët fituan në përballje me Kombëtaren e Shqipërisë, me rezultat 6:3. Ndonëse një vëllazërore, ndeshja u përshkrua me angazhim maksimal nga të dyja ekipet dhe me lojë interesante. Të parët në epërsi kaluan kuqezinjtë me golin e Narcis Alibegut, në minutën e 6-të. Por, Dardanët arritën të përmbysin rezultatin me golat e Drilon Maxharrajt (9’) dhe Mërgim Dervishajt (13’), duke shkuar në pushim me epërsi 2:1. Në pjesën e dytë të përzgjedhurit e Arben Simitçiut treguan lojë më të mirë dhe si rrjedhojë edhe e çuan rezultatin në 6:2, me golat e realizuar nga Melos Kelmendi (26’), Drilon Maxharraj (28’), Jeton Rukovci (31’ e 38’) dhe Ermir Kryeziu (32’). Ndërkohë, kuqezinjtë përkundër angazhimit maksimal në minutat e mbetura nuk arritën të bëjnë më shumë se sa ta ngushëtojnë avantazhin e vendasve në 6:3, me golin e Mentor Mejzinit. Në fund trofeun kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Jeton Rukovci ia ndanë kryetari i Komisionit të Futsallit, Haki Xhemajli dhe nipi i Adem Jasharit, Hamëz Jashari, teksa të dyja ekipet shkëmbyen dhurata. Para kësaj ndeshje u zhvillua edhe dueli ndërmjet Veteranëve të UÇK-së dhe Veteranëve të futbollit të Kosovës, e ku fituan veteranët e UÇK-së, me rezultat 3:1.