27 shkurt, 2024 – Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave për të dytin vit radhazi ka triumfuar në turneun ndërkombëtar “Turkish Women’s Cup”, që u mbajt në Alanya. Pas fitoreve ndaj Hong Kongut dhe Estonisë, Dardanet të martën në ndeshjen e fundit dhe përcaktuese për vendin e parë e kanë mundur Indinë, me rezultat 1:0. Ndeshja ishte mjaft interesante, ku të dyja ekipet shfaqën dëshirë për fitore dhe për t’iu gëzuar trofeut. Megjithatë, ishin Dardanet ato që në fund u shpërblyen për këmbëngulësinë e tyre fitore, teksa në minutën e 3-të të kohës shtesë Erëleta Memeti bëri një driblim të shkëlqyeshëm në zonën e Indisë dhe me gjuajtje të saktë dërgoi topin në rrjetë, duke e vulosur kësisoj fitoren e Kosovës. Dardanet kanë shfaqur formë të jashtëzakonshme gjatë gjithë turneut nën drejtimin e përzgjedhësea Anneli Andersen, duke vazhduar serinë pa humbje edhe këtë vit.

“Kemi pasur një turne të shkëlqyeshëm. Kemi luajtur tri ndeshje dhe jemi përballuar me kundërshtarë shumë të mirë në të gjitha ndeshjet. Turneu përfundoi sot me ndeshjen më të vështirë ku u përballëm me Indinë. Ne kemi praktikuar shumë gjëra, ndonëse jo shumë në fushë për shkak se ndeshjet ishin afër njëra – tjetrës, megjithatë nëpër takime të ekipit kemi punuar në detaje duke përfshirë edhe taktikat tona. Pra, kemi bërë punë të madhe së bashku, prandaj jam shumë e lumtur me gjithçka.. Sigurisht, është një bonus nëse fiton ndeshje ndërkombëtare, pasi ato tashmë janë bërë të vështira për t’u arritur, pasi futbolli i vajzave është përmirësuar kudo. Ne tani po presim me padurim shortin për ciklin e ardhshëm kualifikues, që do të tërhiqet më 5 mars. Tani për tani nuk e dimë se kë do të kemi kundërshtarë, por sigurisht se do të kemi kundërshtarë të fortë dhe do të udhëtojmë shumë në të gjithë Evropën. Prandaj, duhet të përmirësohemi në çdo gjë, nëse duam të kemi sukses”, ka theksuar pas ndeshjes ëpërzgjedhësja Anneli Andersen.

Do theksuar se lojtarja më e mirë e turneut u shpall kapitenja dardane, Erëleta Memeti.