10 nëntor, 2021 – Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje përballë Jordanisë, me rezultat 2:0, në miqësoren që u zhvillua të mërkurën në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Dardanët e nisën me vrull ndeshjen, me synimin dhe dëshirën e madhe për ta zhbllokuar rezultatin qysh në minutat e para, por presioni ndaj kundërshtarit nuk solli rezultat. Në anën tjetër, mysafirët qysh në rastin e parë arritën të shënojnë nëpërmjet Baha Faisal, në minutën e 18-të. Pas pësimit të golit Dardanët në vazhdimësi ishin këmbëngulës për ta rikthyer baraspeshën në rezultat, mirëpo nuk ishin konkret para portës mysafire. Ndërkaq, në minutën e 85-të Jordania realizoi edhe golin e dytë, kur një kundërsulm të shpejtë e finalizoi Hamza al Daradreh. Kosova, të dielën, e zhvillon ndeshjen e radhës në Athinë, ku do të përballet me Greqinë, në ndeshjen përmbyllëse të kualifikimeve për Kampionatin botëror “Katari 2022”.