10 qershor, 2018 – Lumi i gjatë i njerëzve dhe fytyrat e përlotura sot ishin mozaiku i kryeqytetit që kishin ardhur për t’i bërë homazhe legjendës së futbollit dhe presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri. Në hollin e Kuvendit të Kosovës ku ishte ekspozuar arkivoli me trupin e pa jetë të legjendës, me dhjetëra burrshtetas, zyrtarë të institucioneve vendore e ndërkombëtare, përfaqësues të federatave, mijëra qyetarë e sportistë defiluan sot për t’i bërë homazhe dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit në shenjë falënderimi për veprën subilme legjendës, Fadil Vokrri.
Ndërkohë në mbledhjen komemorative përveç familjarëve ishin edhe drejtues të shtetit të Kosovës, të Shqipërisë e Maqedonisë, zyrtarë të UEFA-s e FIFA-s, miq të presidentit Vokrri dhe ish-bashkëlojtarë, derisa salla e kuvendit ishte tejet e vogël për t’i zënë të gjithë të inetersuarit, sikur që mbetën edhe shumë qytetarë tjerë jashtë kuvendit pa pasur mundësinë të bëjnë homazhe, për shkak të agjendës së paraparë nga Këshilli Organizativ.
Mbledhja komemorative nisi me një minutë heshtje në nderim të veprës dhe jetës së presidentit Vokrri. Ndërkohë, në fjalimin e tij, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se ikja para kohe e heroit të futbollit të Kosovës, është një humbje e madhe kombëtare.
“Fadili ishte sinonim i gëzimeve tona, ishte sinonim i lajmeve të mira për Kosovën, ishte sinonim i gjërave të bukura të vendit tonë, sinonim i shpresave për një Kosovë që bën historinë në fushën e gjelbër të sportit më të bukur në botë, futbollit. Para së gjithash, Fadil Vokrri ishte sinonim i njeriut të ndershëm të Kosovës, prandaj dhimbja është e madhe. Humbja po ashtu. Një humbje kombëtare. Jo vetëm familja, por secili që ka pasur rastin ta njoh Fadilin, sot duhet të ndihet krenar se ka një rrëfim për këtë njeri të madh të Kosovës. Ne do ta vazhdojmë ëndrrën e tij, duke mundësuar që të rinjtë e Kosovës të luajnë në kampionatet e futbollit botëror, të shënojnë gola për ta nderuar vendin tonë dhe kujtimin heroit të futbollit tonë, Fadil Vokrrit”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
I pikëlluar me vdekjen e kryetarit të FFK-së u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Shefi i qeverisë e cilësoi Vokrrin si njeri shpirtbardhë i cili ka punuar në të mirë të Kosovës. “Ai ishte një njeri shpirtëbardhë që i gezohej lajmeve të mira për të gjithë. Ai i ka mbijetuar një krenarie të sportit edhe në kohëra më të vështira. Ai u kthye për t’i dhënë përkrahjen sportit dhe në periudhën e re të shtetndërtimit. Falë tij Kosova u kthye në shtëpinë e futbollit. Ndarja si kjo nuk është e lehtë, ju siguroj familja e Vokrrit se nuk jeni të vetëm në dhimbjen tuaj, sepse Fadili ishte i të gjithve”, tha Haradinaj.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, ka vlerësuar larg figurën e Fadil Vokrrit. “Fadil Vokrri iku kur ju desh futbollit më së shumti, por la shumë gjurmë. Fadil ti ike, por le gjurmë të pa shlyera për sportin e Kosovës, sepse karizmatik dhe me autoritet të pakontestueshëm. Je referencë për qindra mijëra të rinj që merren me sport. U prehsh në paqe”, theksoi Hasani.
Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka vlerësuar lart kontributin e legjendës dhe presidentit Fadil Vokrri për futbollin e Kosovës.
“Sot në këtë ditë pikëllimi skajshmërisht të thellë, ne emër të KE të FFK-së, të të gjithë kolegëve e bashkëpuntorëve, sportdashësve, bashkëlojtarëve, lojtarëve të Kombëtares dhe tifozëve ‘Dardanët’, me të cilët krenohej, ju shpreh dhimbjen që na ka kapluar nga humbja e Fadil Vokrrit, udhëheqësit dhe inspiruesit, legjendës që nuk do të kthehet kurrë më. Unë tani e kam të qartë se Fadil Vokrri paska lindur që ta kryejë një mission, e ka pasur të shkruar që nga momenti kur ka lindur. Bëri gjëra të mëdha, por jetoj aq sa të vdesë në kulmin e suksesit. Fadil Vokrri i takon atij lloji të njerëzve që gjatë jetës e shtrijnë prezencën e tyre aq gjerë dhe aqë thellë, sa ajo duke qenë aq e plotë nuk lejon hapësirë bile për të imagjinuar mungesën e tij. Por, me këtë duhet të ballafaqohemi tani. Se sa e madhe ka qenë prezenca dhe rëndësia e tij, kuptohet më së miri nga boshëllëku që ka lënë pas humbjes. Sot në zemrat tona boshëllëku është i thellë dhe i pamatshëm. Fadil Vokrrin e kemi pasur mik shumë të ngushtë dhe president. Kaluam së bashku me të gjithë ju 10 vite jashtëzakonisht të vështira dhe më intensive në aspektin sportiv të jetës tonë. Ka qenë optimist i lindur dhe i vendosur, bujar, fisnik e zemërmadh. Ka qenë shpirti i shoqërisë. Ai ka krijuar miqësi kudo që ka qenë dhe i ka mbrojtur ato. I ka dashur shokët dhe i ka mbështetur pa kushte. Aty ku kanë qenë vështirësitë ai e ka pasur sfidën, aty ku qenë rreziku i ka parë mundësitë. Edhe në jetën e përditshme, ashtu si në futboll goli ka qenë caku dhe me çdo kusht ka dashur të shënojë, derisa pjesa tjetër ka qenë thjeshtë një rrugë që duhej kaluar. Gjërat e vështira ai i bënte të dukeshin të lehta. Fadil Vokrri na la me thjeshtësinë e pashoq që e karakterizoi gjatë tërë jetës. Jep gol dhe ec tutje, publiku e përgëzonte, por ai gjithmonë qëndronte pa mburrje dhe pa u lëvduar. Sukseset e tij janë përcjellur me brohoritje dhe vlerësim. Atij me të drejtë i atribohet suksesi për antarësimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA. Emri i tij ka hapur rrugë edhe pa prezencën e tij fizike. Kurse vendin e tij në zemrat e njerëzve e ka fituar që kur kaloi kufijt me talentin dhe suksesin e tij duke dhënë dinjitet të gjithë futbollistëve. Nëse sot kemi anë e kënd botës që kemi yje, pa dyshim se Vokrri kishte rol të rëndësishëm në zhvilimin e tyre, thjeshtë duke përforcuar një ëndërr që ai e kishte realizuar. Ka qenë dhe do të mbetet sinonim i futbollit dhe i sportit të Kosovës. Ngushëllimet më të thella dhe të sinqerta në emër të FFK-së. U prehsh në paqe president”, u shpreh Salihu.
Në fund në emër të familjes foli djali i presidentit, Gramoz Vokrri, i cili duke mos mundur t’i përmbahej lotëve, tha se babai i tij ishte i gjithë Kosovës dhe se është shumë e vështirë të përshkruhet një person si ai.
“Është e vështirë me përshkru babain tim sepse besoj që vepra e tij flet vet. Fadil Vokrri nuk ishte vetëm i joni por ishte i gjithë Kosovës. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, u shpreh i biri i Fadil Vokrrit.
Ndërkaq, në orët e pasdites lagjia Arbëria, përkundër se është e madhe, sot, dukej e vogël për të pranuar të gjithë ata që e deshën e respektuan legjendën e futbollit mbarëkombëtar dhe jo vetëm.
Në përcjellje të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me nderime shtetërore, presidenti i FFK-së u varros në varrezat e qytetit në Prishtinë, e ku morën pjesë mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga mërgata. Në fund, para varrit të presidentit Vokrri u përkulën në shenjë respekti dhe vendosën kurora lulesh kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Kryeministri Ramush Haradinaj, zyrtarët e FIFA-s e UEFA-s, Zvonimir Boban e Zoran Lakovic, si dhe ministra e deputetë të vendit, si dhe personalitete sportive dhe nga sferat tjera. Secili njeri po i jepte lamtumirën legjendës së futbollit dhe presidnetit Vokrri në mënyrën e tij. Kështu që, përderisa mijëra njërëz në tokë po i jepnin lamtumirën e fundit, dy adhururs fanatik të përbetuar me fluturake nga qielli, pëmni varreza po përshendeteshin nga legjenda dhe presdineti Fadil Vokrri, njëri me fotografinë e Vokrrit e tjetri me mbishkrimin “Pusho në pae Legjendë”.
.