9 nëntor, 2017 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka pësuar humbje në ndeshjen kundër Izraelit, në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2019, me rezultat 0:4, në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, në praninë e rreth 4.000 tifozëve. Rezultati përfundimtar i këtij takimi nuk e paraqet forcën reale në fushë, pasi lojtarët tanë patën shumë më tepër nga loja, por pësuan gola naiv. Lojtar i ndeshjes pa dyshim ishte portieri izraelit, Omri Glazer (gjë të cilën në konferencë për media e pohuan edhe dy trajnerët) i cili me pritjet e tij sidomos në fillim të ndeshjes bëri që ecuria e lojës të jetë krejt ndryshe nga ajo çfarë treguan të dyja skuadrat në fushën e gjelbër. Kosova e nisi shumë mirë ndeshjen dhe qysh në minutat e para Florent Hasani dhe Bersant Celina dolën në pozita të mira shënimi, por portieri izraelit nuk lejoi të mposhtet porta e tij. Ndërkohë, mysafirët arritën të shënojnë qysh në daljen e parë para portës së Bekajt, nëpërmjet Nachmias (15’). Edhe pas këtij goli futbollistët tanë nuk u zmbrasën dhe iu afruan portës disa herë, por pa arritur dot ta çojnë topin në rrjetë. Në anën tjetër, mysafirët na ndëshkuan sërish nga një kundërsulm, kësaj radhe në minutën e 44-t përmes Weissman. Në pjesën e dytë trajneri Rafet Prekazi bëri ndryshime në përbërje në tentim për ta përmbysur rezultatin, por me gjithë qarkullimin e topit dhe rastet e krijuara sërish mungoi goli. Natyrisht ‘fajtor’ për këtë ishte portieri izraelit që reagoi për mrekulli në disa raste. Më pas erdhi edhe goli i tretë i Izraelit i shënuar nga Dasa (58’), duke zbehur në plotni shpresat për rikthim. Ndërkohë, në minutat shtesë kur tanët po bënin përpjekje që së paku të shënonin golin e nderit, u pësua edhe goli i katërt të cilin e realizoi Cohen (90’+2’). Ndeshjen nga afër e ndoqën presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe shumë personalitete tjera. Ndërkohë, ndeshjen e radhës Kosova U21 e zhvillon të martën kundër Azerbajxhanit, si mysafire.
Deklaruan pas ndeshjes
Rafet Prekazi, përzgjedhës i Kosovës: Realisht djemtë nuk kanë luajtur më dobët se sa ndeshjet e kaluara, por rezultati pasqyron diçka tjetër. Si përfaqësuese e re kemi ndërtuar shumë aksione dhe mendoj se këtu ka material. Djemtë kanë luajtur mirë dhe janë angazhuar maksimalisht. Normalisht vetë rezultati 0:4 nuk e lejon trajnerin të thotë diçka më tepër, sepse futbolli luhet për rezultat. Mirëpo, ne i patëm rastet dhe nuk i shfrytëzuam, kurse ata me gjysmëraste arritën të krijojnë epërsi prej dy golave. Realisht në bazë të lojës është dashur që ne të shkojmë në pushim me epërsi, por kështu e ka futbolli. Me këtë rezultat lojtarët tanë e kanë paguar moseksperiencën. Ne jemi shtet i ri dhe na nevojiten më shumë lojë, pasi përfaqësueset e tjera kanë pasur kontiunitet që nga grupmoshat 15-vjeçe, derisa ne kemi ndërtuar ekipin më shumë vështirësi. I falënderoj të gjithë tifozët që ishin të pranishëm dhe do të kisha dëshirë t’i gëzonim me fitore sepse e meritojnë, por futbolli është i tillë. Vetë fakti që lojtari më i mirë i ndeshjes tek ekipi fitues ishte portieri e dëshmon se ne kishim rastet dhe lojën, por fatkeqësisht nuk e gjetëm golin.
Enis Bytyqi: Ne i patëm dy raste të pastra në pesë minutat e para dhe sikur të realizonim njërën prej tyre, atëherë rrjedha e lojës do të ishte krejt ndryshe. Ata në daljen e parë në gjysmëfushën tonë na ndëshkuan dhe më pas gjërat u vështirësuan. Futbolli kështu e ka, kur nuk shënon dënohesh. Normalisht se kjo humbje na dhembë por nuk ka kohë për dëshpërim, ngase të martën na pret ndeshja me azerbejxhanin dhe atje duhet t’i përmirësojmë gabimet dhe t’i gëzohemi fitores. Vetëbesimin e kemi të madh. Kemi ekip të mirë dhe po funksionojmë shumë mirë si grup, por sonte na mungoi edhe fati.
Marko Babul, përzgjedhës i Izraelit: Kosova pati shumë raste, por mendoj se portieri ynë ishte lojtari i ndeshjes. Kemi pasur tranzicion të mirë të lojës nga mbrojtja në sulm dhe kemid arritur të gjejmë golin, gjë e cila na e ka lehtësuar punën. Gjithsesi ju keni një gjeneratë mtë mirë dhe si shtet i ri që jeni mendoj se keni të ardhme. Më lejoni po ashtu që ta falënderojë federatën tuaj për mikpritjen e jashtëzakonshme.