24 janar, 2018 – Sot në Lozanë është bërë tërheqja e shortit për Ligën e Kombeve, një garë kjo e re e UEFA-s, e cila do të nisë në shtator të këtij viti dhe do të zhvillohet çdo dy vjet e ku do të marrin pjesë të gjitha kombëtaret evropiane. Në tërheqjen e shortit ishin të pranishëm edhe presidenti i Federatës së Futbolli të Kosovës, Fadil Vokrri, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, trajneri i Kombëtares A, Muharrem Sahiti dhe menaxheri, Bajram Shala. Në tërheqjen e shortit Kosova u përfshi në grupin 3 të Ligës D, ku do të garojë së bashku me Azerbejxhanin, Maltën dhe Ishujt Faroe.
Interesimi për shortin e Ligës së Kombeve ishte shumë i madh edhe në Kosovë, derisa atë drejtpërdrejt e ndoqën nëpërmjet videoprojektorit edhe zyrtarët e FFK-së dhe përfaqësuesit e mediave në selinë e FFK-së.
Ndeshjet e para të Ligës së Kombeve do të zhvillohen më 6-8 shtator të këtij viti, kurse ndeshje do të ketë edhe më 9-11 shtator, 11-13 tetor, 14-16 tetor, 15-17 nëntor dhe 18-20 nëntor. Fituesit e secilit grup në Ligat B, C dhe D do të sigurojnë kalimin në një ligë më lartë, kurse skuadrat e fundit në grupe në Ligat A, B dhe C, do të bien në një ligë më poshtë. Ndërkohë, fituesit e katër grupeve në Ligën A do të luajnë në qershor të vitit 2019 fazën finale, ku do të dihet edhe kampioni i parë i Ligës së Kombeve. Ndërkohë, për skuadrat më të mira në grupet respektive që paraprakisht nuk e sigurojnë biletën për Kampionatin Evropian nëpërmjet ciklit të rregullt kualifikues, u jepet një mundësi shtesë që këtë ta kërkojnë nëpërmjet fazës së “play-off”-it të Ligës së Kombeve që luhet në mars të vitit 2020.
Kalendari i ndeshjeve të Kosovës në Ligën e Kombeve
7 shtator    Azerbejxhani – Kosova 18:00
10 shtator  Kosova – Ishujt Faroe 20:45
11 tetor       Kosova – Malta 20:45
14 tetor      Ishujt Faroe – Kosova 18:00
17 nëntor   Malta – Kosova 18:00
20 nëntor  Kosova – Azerbejxhani 18:00



Liga A
Grupi 1: Gjermania, Franca, Holanda
Grupi 2: Belgjika, Zvicra, Islanda
Grupi 3: Portugalia, Italia, Polonia
Grupi 4: Spanja, Anglia, Kroacia
Liga B
Grupi 1: Sllovakia, Ukraina, Çekia
Gropi 2: Rusia, Suedia, Turqia
Gropi 3: Austria, Bosnia e Hercegovina, Irlanda e Veriut
Grupi 4: Uellsi, Irlanda, Danimarka
Liga C
Grupi 1: Skocia, Shqipëria, Izraeli
Grupi 2: Hungaria, Greqia, Finlanda, Estonia
Grupi 3: Sllovenia, Norvegjia, Bullgaria, Qipro
Grupi 4: Rumania, Serbia, Mali i Zi, Lituania
Liga D
Grupi 1: Gjeorgjia, Letonia, Kazakistani, Andora
Grupi 2: Bellorusia, Luksemburgu, Moldavia, San Marino
Grupi 3: Azerbejxhan, Ishujt Faroe, Malta, Kosova
Grupi 4: Maqedonia, Armenia, Lihtenshteini, Gjibraltari