30 nëntor, 2019 – Sonte në Bukuresht është bërë tërheqja e shortit për grupet e Kampionatit Evropian 2020, që do të mbahet verën e ardhshme në 12 qytete të 12 shteteve të ndryshme evropiane. Në tërheqjen e shortit për Euro 2020 ishte i pranishëm edhe presidenti Agim Ademi, së bashku me homologët dhe miqtë e tij të ngushtë, Armand Duka dhe Muamed Sejdini. Kosova do të jetë e përfshirë në Grupin C, nëse paraprakisht arrin ta sigurojë biletën nëpërmjet “play-off”-it, ku fillimisht më 26 mars do të luajë në gjysmëfinale kundër Maqedonisë së Veriut dhe më pas nëse e kalon me sukses këtë sfidë, atëherë në finale do të luajë me fituesin e ndeshjes tjetër gjysmëfinale Gjeorgji – Bjellorusi. Në rast se Dardanët do të arrijnë suksesin historik – kualifikimin në Euro 2020, atëherë në finalet e këtij kompeticioni do të luajnë në grupin C së bashku me Holandën, Ukrainën dhe Austrinë. Megjithatë, në rast se “play-off”-in e Ligës A në Ligën e Kombeve e fiton Rumania, atëherë gjërat ndryshojnë, ngase në atë rast Rumania automatikisht vendoset në Grupin C, derisa fituesi i “play-off”-it të Ligës D (ku garon Kosova) do të spostohej në “grupin e ferrit”, ku janë Gjermania, Franca dhe Portugalia.
Pas tërheqjes së shortit presidenti Agim Ademi në një lidhje direkte për Supersport, është shprehur: “Është një short i mirë për ne, pasi Grupi C ka disa kundërshtar më të lehtë dhe mund të arrijmë gjëra të mëdha, por fillimisht jemi të fokusuar në ‘play-off’-in e Ligës së Kombeve. E gjithë vëmendja jonë do të jetë te përballjet që do t’i zhvillojmë në muajin mars në Ligën e Kombeve dhe shpresojmë që t’i kalojmë të dyja me sukses”.