5 mars, 2024 – Sot në selinë e UEFA-s në Nion është bërë tërheqja e shortit për fazën e parë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2025 në konkurrencën e femrave. Kjo fazë kualifikuese sivjet zhvillohet në tri liga. Kosova bën pjesë në Ligën B dhe në bazë të shortit është përfshirë në Grupin B4, ku janë edhe Uellsi, Kroacia dhe Ukraina.

Kualifikimet nisin në muajin prill, derisa në Evropian direkt kualifikohen vetëm nga dy përfaqësuese prej katër grupeve të Ligës A, derisa vendet e tjera plotësohen përmes ‘play-off’-it. Nga Liga B, ku bën pjesë edhe Kosova, tri përfaqësueset e para në secilin grup kalojnë në ‘play-off’, ku përcaktohen shtatë përfaqësueset e fundit që kualifikohen në Evropian.

Kombëtarja e Kosovës ka një seri prej 14 ndeshjeve pa humbje dhe nën drejtimin e Anneli Andersen ka treguar formë shumë të mirë.