6 tetor, 2017 – Me gjithë përpjekjet e mëdha dhe lojën e mirë që bëri Kombëtarja e Kosovës, sërish i mungoi rezultati pozitiv.  Në ndeshjen e 9-të në kuadër të eliminatoreve për Botërorin “Rusia 2018”, Kombëtarja jonë humbi nga Ukraina, me rezultat 2:0. Pjesa e parë u mbyll pa gola dhe të dyja skuadrat patën disa gjysmëraste, por portat mbeten të paprekura. Rasti i parë iu dha tanëve në minutën e 12-të, kur Rashica harkoi nga e djathta, por Muriqi nuk arriti ta godasë topin. Dy minuta më vonë, Bersant Celina depërtoi shkëlqyeshëm nga e majta, por gjuajtjen e tij nga distanca e priti pa vështirësi të mëdha Pyatov. Në anën tjetër, mundësia e parë për Ukrainën erdhi tek në minutën e 17-të kur Konoplyanka gjuajti furishëm, por Ujkani arriti ta grushtojë topin. Ndërkohë, në minutën e 23-të kur Konopolyanka qëlloi shtyllën, derisa dopin e devijuar Kravets e dërgoi mbi portë. Në fillim të pjesës së dytë Kosova mbeti pa Hekuran Kryeziun, i cili u detyrua ta lë lojën për shkak të lëndimit, të cilin e zëvendësoi Rashani. E ky me të hyrë në lojë doli në një pozitë shumë të mirë shënimi, por asistin e Halimit për të e ndali paqëllim Muriqi, duke e humbur një rast shumë të mirë. E kur kaloi një orë lojë, Ukraina e gjeti golin e epërsisë dhe atë falë autogolit të Leart Paçaradës, i cili harkimin e Konoplyankas nga e majta e dërgoi në portën e Ujkanit. Në minutën e 69-të Kosovës iu mohua një penallti e pastër, kur një lojtar ukrainas preku topin me dorë brenda zonës, kur afër tij ishte Rashica. Një rast tjetër tanët e patën në minutën e 75-të, por gjuajtjen e Rashanit e priti portieri rivalë. Dhe kur Kosova bënte përpjekje për ta kthyer baraspeshën në rezultat, erdhi goli që vulosi gjithçka për fatet e kësaj sfide. Ishte minuta e 84-t kur një top të devijuar nga mbrojtja jonë pas gjuajtjes së Stepanenkos e dërgoi në rrjetë Yarmolenko, me gjuajtje të fortë. Ndeshjen e radhës dhe të fundit për këtë cikël kualifikues Kombëtarja e Kosovës e zhvillon më 9 tetor kundër Islandës në Reykjavik.
Kosova – Ukraina  0:2  (0:0)
Stadiumi: “Loro Boriqi” Shkodër.
Gjyqtarë: Craig Pawson, Lee Betts, Ian Hussin e  Martin Atkinson.
Shënues: Paçarada (60’ag), Yarmolenko(87) për UKR.
K.V. Kryeziu (Kos)  e Kravets, Odets (UKR)
Kosova:Ujkani, Musolli, Kryeziu (Rashani), Rashica, Halimi, Celina, Rrahmani, Vojvoda, Muriqi (Nuhiu), Paqarada, Jashanica.
kraina: Pyatov, Khacheridi, Matviyenko, Yarmolenko, Konoplyanka (Bulaskyi), Kravets (Marlos), Rotan (Stepanenko), Sydorchuk, Karavaiev, Garmash e Ordets.