9 tetor, 2021 – Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në duel me Suedinë, me rezultat 3:0, në ndeshjen e zhvilluar, të shtunën në mbrëmje, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022” në stadiumin “Friends Arena” në Solna – Stokholm. Dardanët patën mbështetje nga një numër i madh i bashkëatdhetarëve tanë, të cilët kishin udhëtuar në Stokholm nga qytete të ndryshme të Suedisë, por edhe vendet tjera evropiane. Suedezët kaluan në epërsi në minutën e 29-të nga penalltia e akorduar me ndihmën e VAR-it, të cilën e realizoi Emil Forsberg. Rastin më të mirë në këtë pjesëlojë për Kosovën e pati Elbasan Rashani, por nuk ishte i saktë. Pjesën e dytë Dardanët e nisën më mirë dhe ishin këmbëngulës në kërkim të golit të barazimit. Madje, Muriqi arriti të shënojë, por goli nuk u pranua për shkak të pozitës jashtëloje. Më pas edhe Zymer Bytyqi e pati një mundësi të mirë, por gjuajtjen e tij e ndali portieri Olsen. Në periudhën kur Dardanët ishin në ofanzivë, suedezët arritën të gjejnë edhe golin e dytë. Këtë herë Aleksander Isak shënoi një gol me gjuajtje nga distanca, në minutën e 62-të, derisa rezultatin përfundimtar e vulosi Robert Quaison, në minutën e 79-të. Pas kësaj fitoreje Suedia mban pozitën e dytë në Grupin B, me 12 pikë, derisa Kombëtarja e Kosovës mbetet në pozitën e katërt me 4 pikë. Ndeshjen e ardhshme Kosova e zhvillon të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Gjerogjisë.