15 mars, 2024 – Seria prej 14 ndeshjeve pa humbje dhe suksesi i arritur në turneun ndërkombëtar në Turqi, ka bërë që Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave të arrijë pozitën më të mirë në renditjen e FIFA-s që nga anëtarësimi i FFK-së në këtë institucion.
Kosova tani është e 91-ta, duke e përmirësuar pozitën e saj për nëntë vende dhe është Kombëtarja që ka bërë përparimin më të madh në renditjen e FIFA-s.
Në fund të muajit të kaluar, Dardanet triumfuan në turneun e mbajtur në Alanya, duke fituar ndaj Hong Kongut, Estonisë dhe Indisë.
Në prill, Kosova do të nisë ciklin e ri kualifikues për Evropian, ku bën pjesë në Grupin B4 bashkë me Uellsin, Kroacinë dhe Ukrainën.
Sa i përket renditjes së FIFA-s, Spanja është e para, derisa pasohet nga Anglia, Franca, SHBA-ja e Gjermania.