15 shtator, 2016 – FIFA ka publikuar renditjen e re të kombëtareve për muajin shtator. Kosova ka shënuar ngritje të konsiderueshme, duke përparuar për 22 vende në krahasim me renditjen e muajit të kaluar. Kësisoj, tani Kosova zë pozitën e 168-të në renditjen e FIFA-s, falë debutimit të suksesshëm në garat zyrtare ndërkombëtare, ku më 5 shtator barazoi 1:1 kundër Finlandës, në Turku, në ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Rusi 2018”. Që prej pranimit me të drejta të plota në FIFA, Kosova ka zhvilluar dy ndeshje të cilat janë llogaritur për renditjen e kombëtareve, atë me Ishujt Faro, të cilën e ka fituar 2:0 si dhe barazimi me Finlandën 1:1. Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan kundër Kroacisë më 6 tetor në Shkodër.