16 janar, 2017 – Përfaqësuesja e Kosovës U-17 e ka zhvilluar sot ndeshjen e parë në kuadër të turneut “Mercedes Benz Aegean Cup”, që po zhvillohet në afërsi të Izmirit në Turqi. Të përzgjedhurit e Besnik Kollarit kanë pësuar humbje në duel me Turqinë, me shifrat 0:4, ndonëse ky rezultat nuk është pasqyrë reale e asaj çfarë skuadrat treguan në fushë. Në fakt, Kosova e nisi mjaft mirë ndeshjen dhe nuk u lejoi turqve të krijonin aksione. Madje, mundësinë e parë e patën futbollistët tanë në minutën e 5-të nëpërmjet një kundërsulmi, kur Edin Huseini e shërbeu në krahun e djathë Bajrush Osmanin, por ky nuk arriti të gjuajë në portë. Ndërkohë, dy minuta më vonë Turqia kaloi në epërsi, me golin e Ali Yavuz Kol, i cili përfitoi një top të larguar jo mirë nga mbrojtja. Në vazhdim loja ishte e baraspeshuar, ku loja e futbollistëve tanë ishte stabile deri në minutën e 40-të (të fundit të pjesës së parë), kur Mustafa Kaya dërgoi një top jo të rrezikshëm drejt portës, por që u devijua paqëllimshëm nga mbrojtësi Leard Sadriu dhe përfundoi në rrjetën e Kuqukut. Paraprakisht Kosova e pati një rast të mirë shënimi, por gjuajtja e Adonis Aliut nga krahu i djathtë shkoi përskaj portës. Në pjesën e dytë Kosova pësoi dy gola të shpejtë. Fillimisht Atakan Gunduz në minutën e 44-të përfitoi nga tollovia në mbrojtje për 3:0, derisa tre minuta më vonë, Oguzhan Akgun shënoi me një gjuajtje të fortë nga distanca për 4:0. Në vazhdim përzgjedhësi Kollari bëri disa ndryshime në përbërje me qëllim të freskimit të lojës dhe si rrjedhojë edhe u krijuan disa mundësi të mira shënimi. Në minutën e 62-të Albin Prapashtica depërtoi bukur në zonë dhe u faulua duke përfituar penallti. Mirëpo, gjuajtjen nga pika e bardhë të Altin Lutollit portieri turk Arda Akbulut arriti ta dëbojë. Një tjetër mundësi të mirë për të shënuar Kosova e pati nëpërmjet Qëndrim Zybës, kur depërtoi mjaft mirë në mbrojtjen kundërshtare, por sërish portieri Akbulut nuk lejoi që topi të shkojë në rrjetën e tij. Nesër Kosova do të luajë kundër Greqisë në ndeshjen “Fair Play”, derisa ndeshjen e radhës për pikë në kuadër të Grupit A e zhvillon kundër Sllovakisë, më 19 janar.
Deklaroi pas ndeshjes
Besnik Kollari: “Patëm përballë Turqinë që është një skuadër shumë e fortë, e cila muajin e kaluar e ka mundur edhe një skuadër si Italia 2:0. Mendoj që këto ndeshje do të na shërbejnë si një përvojë shumë e mirë, kur dihet se ne me këtë përbërje e zhvilluam ndeshjen e parë. Sigurisht se kjo do të jetë përvojë e mirë për seleksionimet e radhës. Është shumë pozitive që kemi filluar të zhvillojmë ndeshje dhe tani mund ta dimë se ku jemi. Sa më shumë ndeshje që të bëjmë do të ndikojë pozitivisht në ngritjen e nivelit të lojës sonë dhe përgjegjësive në lojë. Përkundër rezultatit ne kemi pasur sinjale pozitive në disa situata gjatë kësaj sfide. Fati nuk na përcjelli sidomos në pjesën e parë, por në të ardhmen edhe në situata të tilla lojtarët duhet të jenë më të vëmendshëm, sepse kundërshtarët e tillë të ndëshkojnë në çdo gabim. Një gjë shumë pozitive është se në këtë ndeshje kemi inkuadruar edhe dy futbollistë të vitit 2002, që është shumë me rëndësi për të ardhmen e Përfaqësueses sonë, derisa në këtë ndeshje iu dha rasti edhe 11 futbollistëve që luajnë në Kosovë, të cilët me lojë të tilla do të përfitojnë përvojën e nevojshme”.
Turqia-Kosova 4:0
Stadiumi “Altinordu Metin Oktay Tesisleri”
Gjyqtarë: Eren Ozyemisciuoglu
Turqia: Arda Akbulut, Batuhan Ekinci, Ozgur Ortaç, Atakan Gunduz, Yaser Yuce, Serkan Bakan, Ali Yavuz Kol, Firat Gullu, Oguzhan Akgun, Yusuf Can Esendemir, Mustafa Kaya. Luajtën edhe: Ridvan Yilmaz, Abulkadir Çelik, Bora Ulu, Semih Yilduz, Mustafa Kapi, Kerem Kalafat.
Kosova: Shaban Kuquku, Adonis Sopa, Leard Sadriu, Besnik Koci, Gent Musa, Altin Lutolli, Dardan Shabanhaxhaj, Bajrush Osmani, Adonis Aliu, Edin Huseini, Valon Zumberi. Luajtën edhe: Qëndrim Zyba, Albin Prapashtica, Endrit Demolli, Deniz Sadiku, Armend Gashi, Gentrit Ulluri.
Pas pak foto tjera…