Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbje të thellë në ndeshjen e dytë miqësore ndërkombëtare me lejen e FIFA-s. Skuadra e Albert Bunjakit, të mërkurën, në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, në praninë e rreth 17 mijë tifozëve u mposht nga kombëtarja e Turqisë, me rezultat 1:6. Turqia e nisi rrufeshëm ndeshjen dhe qysh në minutën e 2-të kaloi në epërsi, me golin e shënuar nga Ilhan Ozek.
Ky gol ndikoi dukshëm në aspektin psikik të lojtarëve tanë, të cilëve iu dashtë kohë për t’u këndellur, por pa arritur të paraqiten të rrezikshëm për portën turke. Ndërkohë, në minutën e 34-t mysafirët shënuan edhe golin e dytë, nëpërmjet Bilal Kisas me një gjuajtje nga distanca.
Megjithatë, kësaj radhe futbollistët tanë reaguan shpejt dhe pas një aksioni të shkëlqyeshëm të Faton Toskit, Albert Bunjaku shënoi nga afërsia për ta ngushtuar epërsinë e turqve, 1:2. Mirëpo, kjo ishte e tëra çfarë arritën të bëjnë djelmoshat tanë, pasi në pjesën e dytë turqit mbizotëruan plotësisht dhe shfrytëzuan në maksimum reagimin e dobët të repartit të mbrojtjes.
Golat e tjerë për Turqinë deri në fund të ndeshjes i shënuan, Olcay Sahan (49’), Mustafa Pektekmek (54’ e 71’) dhe Alper Potuk nga pika e bardhë në minutën 88-të.
Gjithsesi kjo humbje nuk duhet t’i dëshpërojë futbollistët e Kosovës, por duhet të shërbejë në konsolidimin dhe ndërtimin e mëtutjeshëm të Përfaqësueses.
Kosova-Turqia 1:6
Stadiumi “Adem Jashari”, në Mitrovicë.
Shikues: rreth 17.000
Kartonat e verdhë: Mehmeti, Curri, Nushi.
Kosova: Mushica, Përdedaj, L. Rexhepi (Zhdrella 71’), Curri, Nushi, Hetemaj (Jashanica 79’), Rashkaj, D. Rexhepi (E. Bunjaku 60’), Toski (Hoxha 60’), Alushi, A. Bunjaku (Avdijaj 60’).
Turqia: Volkan Babacan, Ishak Dogan, Ugur Demirok (Erkin 73’), Alper Potuk, Adem Buyuk (Sahan 46’), Ozan Tufan, Mustafa Pektemek (Adin 78’), Bilal Kisa (Calhanoglu 70’), Aydin Karabulut (Sahin 46’), Tarik Camdal, Ilhan Ozek (Inan 78’).