a-19 tetor, 2016 – Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbjen e dytë radhazi në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Rusia 2018”. Pas humbjes së thellë tri ditë më parë kundër Kroacisë (0:6) në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, kësaj radhe djemtë tanë janë mposhtur nga Ukraina, me rezultat 0:3, në ndeshjen e zhvilluar në terren neutral në Krakovë të Polonisë, në praninë  e vetëm 1000 tifozëve. Për dallim nga ndeshja kundër kroatëve ku mbrojtja jonë pati shumë hapësira, kësaj radhe loja e skuadrës ishte shumë më e organizuar dhe deri në minutën e 81-të kishim shpresa për rezultat pozitiv. Në fakt, Kosova u mbrojt mjaft mirë në pjesën e parë deri në minutën e 31-të, kur ukrainasit shënuan Amir Rrahmani devijoi në rrjetën e Samir Ujkanit një gjuajtje të Artem Kravetsit. Paraprakisht vetëm pak sekonda më herët Kosova rrezikoi seriozisht portën e vendasve nëpërmjet Milot Rashicës, por gjuajtja e tij u prit nga portieri Pyatov. Në pjesën e dytë Kosova u tregua më ofanzive dhe krijoi edhe disa raste shumë të mira. Në minutën e 62-të Bernard Berisha doli në rast të shkëlqyeshëm, por gjuajti jashtë portës. I njëjti futbollist ishte shumë afër golit edhe në minutën e 78-të, kur nga afërsia qëlloi tërthorësen. Pikërisht në momentet kur Kosova ishte në periudhën e saj më të mirë ukrainasit na ndëshkuan sërish nëpërmjet Yarmolenkos, në minutën e 81-të. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar 3:0 e vendosi Rotan, i cili shfrytëzoi hapësirën e krijuar dhe shënoi me gjuajtje nga distanca. Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon si mysafire kundër Turqisë më 12 nëntor.
a-2 a-3 a-4 a-5 a-6