5 qershor, 2024 – Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në përballjen miqësore me Norvegjinë. Ndeshja e zhvilluar në “Ullevaal Stadion” në Oslo, në prani të 19.634 shikuesve, u mbyll me shifrat 3:0. Shumë prej tifozëve të pranishëm ishin bashkatdhetarë tanë, të cilët i dhanë mbështetje të vazhdueshme djelmoshave dardanë. Megjithatë, djelmoshat e drejtuar nga Franco Foda nuk patën zgjidhje për superyllin botëror, Erling Haaland. Sulmuesi shtatlart i Manchester Cityt realizoi të tre golat e këtij takimi, duke konfirmuar se është në top formë. Haaland zhbllokoi shifrat në minutën e 15-të me gjuajtje me kokë, pas asistimit të David Moller Wolfe. Në pjesën e parë vendasit krijuan edhe disa mundësi të mira, por nuk ishin efikas para portës së Bekajt, derisa në minutat e fundit para se ekipet të shkonin në pushim, Paqarada, Zhegrova e Albion Rrahmani tentuan, por gjuajtjet e tyre nuk ishin të sakta. Kosova pati telashe në pjesën e parë me lëndime, e ku si rrjedhojë Valon Berisha e Elbasan Rashani e braktisën fushën, duke e detyruar Fodën të bëjë zëvendësime të hershme, me inkuadrimin e Albion Rrahmanit e Bernard Berishës. Pjesën e dytë Kosova e nisi shumë më mirë, duke qenë kërcënuese para portës norvegjeze. Vedat Muriqi u përpoq ta dërgojë topin në rrjetë në minutën e 53-të, por gjuajtja e tij me kokë nuk i shkaktoi shumë telashe portierit vendas. Në momentet kur Dardanët po kërkonin golin e barazimit, Norvegjia shënoi golin e dytë. Gabimi i Bernard Berishës në krah të mesfushës i dha mundësi vendasve për kundërsulm të shpejtë, derisa Haaland ishte në nivelin e detyrës për 2:0, kur po zhvillohej minuta e 70-të. Vetëm pesë minuta më vonë Haaland doli sërish në rast të mirë dhe nuk gaboi për shifrat përfundimtare 3:0. Miqësorja kundër Norvegjisë ishte testi i fundit i Kosovës para ndeshjeve zyrtare të Ligës së Kombeve që nisin në shtator. Më 6 shtator Dardanët në shtëpi luajnë me Rumaninë, derisa tre ditë më vonë si mysafirë kundër Qipros.