27 shtator, 2022 – Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur me shkëlqim ciklin e sivjetmë të Ligës së Kombeve. Dardanët, në ndeshjen e fundit të Grupit 2 në Ligën C, e kanë mposhtur Qipron, me rezultat bindës 5:1, duke çuar në delir tifozët e pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kësisoj, Kosova e mbylli këtë fushatë në pozitën e dytë, me 9 pikë, duke qëndruar dhe në ciklin e ardhshëm në Ligën C. Futbollistët e Kosovës e dominuan plotësisht lojën dhe shfaqën potencialin e tyre, me lojë kreative dhe me shumë gola. Serinë e golave e hapi Florent Muslija në minutën e 22-të me gjuajtje nga zona. Pak para përfundimit të pjesës së parë në skenë doli Donat Rrudhani, i cili realizoi për 2:0. Në pjesën e dytë Dardanët ishin edhe më efikas. Vetëm pas 45 sekondash lojë në këtë periudhë Elbasan Rashani shënoi për 3:0, kur topin e dëbuar nga shtylla pas gjuajtjes së Muriqit, nuk e pati të vështirë ta dërgojë në rrjetën e portës qipriote. E për dy golat e tjerë të kësaj fitoreje madhështore u përkujdes sulmuesi në formë të lartë, Vedat Muriqi. Ai shënoi në minutat e 52-të dhe 84-t. Të parin e shënoi me gjuajtje të fortë pas depërtimit në zonë, teksa të dytin me një gjuajtje të shkëlqyeshme me kokë pas harkimit të Rashicës. Në anën tjetër, golin e vetëm qipriotët e shënuan në minutën e 81-të, kur Valentin Roberge, realizoi me gjuajtje vole pasi mori një top nga këndorja. Tani Kosova e pret shortin për kualifikimet e Euro 2024, që do të tërhiqet në muajin e ardhshëm, me shpresa të mëdha për të pasur një cikël të suksesshëm.