13 nëntor, 2021 – Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sonte stërvitjen e fundit para përballjes me Greqinë, e cila do ta mbyllë fushatën kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”. Futbollistët dardanë kanë stërvitur me përkushtim në fushën e Stadiumit Olimpik në Athinë, në të cilën në tetor të vitit të kaluar kishin marrë një pikë në kuadër të Ligës së Kombeve. Para stërvitjes në konferencën për media janë paraqitur përzgjedhësi Primozh Gliha dhe mbrojtësi i krahut Mërgim Vojvoda. Trajneri slloven ka thënë se pret paraqitje më të mirë dhe më kompakte nga ekipi i tij në ndeshjen e nesërme, por edhe t’i shfrytëzojë rastet që i krijon. “Para ndeshjes me Jordaninë, e kam thënë se kemi nevojë për fitore për ta ndryshuar mentalitetin. Kështu që, besojmë në fitore dhe besojmë se mund ta mposhtim çdo kundërshtar. Mirëpo, ndeshja ndaj Greqisë do të jetë krejtësisht ndryshe prej asaj me Jordaninë. Do të kemi përballë një ekip të mirë që aplikon lojë ofensive, por futbolli ndonjëherë është i çuditshëm dhe magjitë mund të ndodhin në një ndeshje dhe çdokush mund ta mposhtë çdo kënd. Secili futbollist duhet të japë maksimumin duke e dhënë më të mirën në fushë dhe vetëm në këtë formë mund të nxjerrim më të mirën nga lojtarët. Megjithatë, do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne do të japim gjithçka nga vetja dhe do të shohim se si rrjedhin gjërat”, është shprehur Gliha. Sa i përket kritikave ka thënë se në futboll ato janë gjithmonë të pranishme dhe se nuk mund të jeni trajner nëse nuk i pranoni ato. Ndërkaq, Vojvoda, ka kërkuar falje për rezultatet negative në ndeshjet e fundit dhe ka shprehur shpresën se ndaj Greqisë do të arrijnë të marrin rezultat pozitiv. “Për ne, çdo ndeshje është e rëndësishme dhe në secilin takim synojmë ta japim maksimumin që është shumë e rëndësishme. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe ka rëndësi të madhe për ne që të marrim tri pikë në këtë takim. Mendoj se kemi mundur të bëjmë më shumë se që kemi bërë deri më tani në këto kualifikime, por duhet të shohim përpara dhe të mundohemi të japim më të mirën. Nuk e meritojmë të jemi në këtë pozitë dhe pres një rezultat pozitiv në ndeshjen e fundit”. Ndeshja Greqi – Kosovë zhvillohet në Stadiumin Olimpik “Spyros Louis” në Athinë dhe fillon në orën 20:45, sipas kohës në Kosovë. Dardanët në këtë ndeshje synojnë t’i japin fund serisë prej katër humbjeve radhazi, në mënyrë që edicionin e ri të Ligës së Kombeve ta presë me moral sa më të lartë.