16 nëntor, 2021 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka shënuar fitore në ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2023. Dardanët e mposhtën Shqipërinë, me rezultat 2:1, të martën në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Arlind Sejdiu përmbysi rezultatin në minutën e 91-të, duke shënuar golin e fitores. Kuqezinjtë shënuan të parët në epërsi në minutën e 58-të me golin e Bernard Karricës, por të përzgjedhurit e Michael Nees reaguan më pas nëpërmjet Erolind Krasniqit në minutën e 65-të, që e barazoi rezultatin në 1:1, teksa në shtesë e gjetën edhe golin e fitores. Në kuadër të grupit G, Kosova ka shënuar dy fitore në 5 ndeshjet e deritashme dhe aktualisht renditet në vendin e parafundit.