28 gusht, 2019 – Kombëtarja e Kosovës U15 ka shënuar fitoren e dytë në kuadër të turneut “Friendly Development Tournament” që po zhvillohet në Shkup. Pas fitores së djeshme kundër Shqiprisë, të përzgjedhurit e Gazmend Halitit, sot, kanë arritur të mposhtin Maqedoninë e Veriut, me rezultat 1:0. Pas një loje të fortë dhe të barabartë, me raste si nga njëra ashtu edhe skuadra tjetër, në fund fitores iu gëzuan Dardanët, me golin e shënuar nga Denis Ramadani, në minutën e 78-të. Kësisoj, tani Kosova pas dy ndeshjeve kryeson renditjen me 6 pikë, derisa të premten do të luajë ndeshjen e fundit kundër Malit të Zi, kombëtare e cila ka 4 pikë, pasi sot e ka mundur Shqipërinë, 3:0. Pas ndeshjes përzgjedhësi Gazmend Haliti theksoi se ekipi i tij e dominoi lojën, ndonëse vërehej qartë lodhja tek futbollistët për shkak të angazhimit në ndeshjen e djeshme, por edhe për shkak të temperaturave të larta. “Krijuam shumë raste por nuk i shfrytëzuam. Kjo shumë lehtë ka mundur të na hakmerret, ngase edhe vendasit patën disa mundësi. Megjithatë, në minutat e fundit i bëmë presion kundërshtarit dhe kjo gjë rezultoi e suksesshme, pasi dy minuta para fundit shënuam golin e fitores. I përgëzoj futbollistët për angazhim dhe disiplinë”, ka thënë Haliti.