5 maj, 2022 – Kombëtarja e Kosovës U16 ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë të turneut zhvillimor të UEFA-s që po mbahet në Shkup. Pas fitores kundër Hondurasit, të përzgjedhurit e Arsim Abazit janë mundur në penallti nga ekipi nikoqir, Maqedonia e Veriut, me shifrat 5:4. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras 1:1. Të parët shënuan vendasit, por më pas gjithçka kaloi në shenjë të futbollistëve tanë, të cilët në vazhdimësi u shfaqën të rrezikshëm për portën rivale. Golin e barazimit për Dardanët e rinj e shënoi Elvir Gashjani, në minutën e 57-të, derisa dëshira për ta përmbysur rezultatin ishte e madhe, por nuk rezultoi e suksesshme. Në fakt, në bazë të lojës së shfaqur fitorja për futbollistët tanë do të ishte epilog real i kësaj ndeshje, por shpërdorimi i shumë rasteve dhe referimi në nivel jo të duhur ndikoi në rezultat. Në serinë e penalltive futbollistët e Maqedonisë së Veriut ishin më me fat. Ndeshjen e fundit Kosova U16 e zhvillon më 8 maj kundër Taxhikistanit. Përzgjedhësi i kësaj grupmoshe, Arsim Abazi u shpreh i kënaqur me paraqitjen e djelmoshave dardanë. “Paraqitja e ekipit tonë ishte shumë e mirë, por u dëmtuam shumë nga gjyqtarët. Për dallim nga ndeshja e parë, kësaj radhe angazhimi dhe përkushtimi i djelmoshave tonë ishte shumë i lartë. Krijuam aksione të mira dhe shumë raste para portës kundërshtare, por fati nuk ishte me ne. Tani na pret dueli i tretë me Taxhikistanin, e ku duhet të shikojmë ta përshatim ekipin për shkak të rregullave të turneut, pasi secili lojtar duhet të ketë 90 minuta angazhim në tri ndeshje”, ka thënë Abazi.