18 qershor, 2021 – Kombëtarja e Kosovës U19 ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë miqësore kundër Kombëtares së Shqipërisë së kësaj grupmoshe. Ndeshja e zhvilluar paraditen e sotme në “Elbasan Arena” u mbyll me rezultat 3:0. Për dallim nga miqësorja e para dy ditëve, të cilën djelmoshat e drejtuar nga Ramiz Krasniqi e fituan 1:0, kësaj radhe ishin futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë, të cilët u paraqitën më mirë dhe arritën që në pjesën e parë të krijojnë epërsi prej dy golash. Më pas, Dardanët e rinj u përpoqën që në pjesën e dytë të kthehen në rezultat, por një gjë të tillë nuk e arritën. Madje, si pasojë e koncentrimit në fazën e sulmit ata në minutën e 77-të pësuan edhe golin e tretë. Këto dy miqësore i kanë shërbyer përzgjedhësit Ramiz Krasniqi për ta parë formën e ekipit dhe për ta përgatitur atë sa më mirë për ndeshjet kualifikuese që zhvillohen në vjeshtë.