11 prill, 2022 – Kombëtarja e Kosovës U19 ka pësuar humbje në ndeshjen e fundit të Grupit 4 të Ligës B në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2022. Dardanet U19 u mundën nga skuadra nikoqire e ndeshjeve të këtij grupi, Skocia, me rezultat të ngushtë 3:2 në stadiumin “Falkirk”. Ky duel ishte përcaktues për ekipin i cili do të ngjitej në Ligën A për ciklin e ardhshëm kualifikues, pasi të dyja ekipet në dy ndeshjet paraprake kishin shënuar fitore. Megjithatë, Kosovës i duhej fitorja në këtë takim për ta siguruar promovimin në Ligën A, ngase skocezet kishin goldallim më të mirë. Dardanet kaluan të parat në epërsi falë autogolit të Jessia Broadrick (9’), por më pas skocezet arritën të përmbysin rezultatin me golat e Ivana Pollard (11’) dhe Eilidh Adams (42’). Mirëpo, vashat tona nuk u dorëzuan dhe në minutën e dytë shtesë arritën të barazojnë shifrat me golin e Doruntina Kryeziut. Të vetëdijshme se kalimin tutje e sigurojnë me fitore, Dardanet u vërsulën në sulm në minutat e mbetur të kohës shtesë, por nga një pasim i gabuar përfituan vendaset, të cilat arritën që me kundërsulm të shpejtë të shënojnë edhe golin e fitores, të cilin e realizoi Bayley Hutchinson (90’+4).