5 qershor, 2019 – Kombëtarja e Kosovës U19 ka pësuar humbje edhe në miqësoren e dytë kundër Kombëtares së Shqipërisë U19, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” nëpër mot me shi. Kuqezinjtë e drejtuar nga Nevil Dede e kanë mbizotëruar lojën ndaj të përzgjedhurve të Ramiz Krasniqit, duke e mbyllur takimin me fitore bindëse, 4:1. Shqipëria kaloi në epërsi me golin e Ernest Muçit në minutën e 23-të nga penalltia. Epërsinë në 2:0 e shtoi sulmuesi i Chelseat, Armando Broja, në minutën e 40-të. Pjesa e dytë nisi më mirë për Dardanët, të cilët arritën të ngushtojnë epërsinë e mysafirëve, me golin e Altin Bytyqit. Megjithatë, kur pritej që të vihej baraspesha në rezultat ishte Muçi që shënoi golin e tretë për kuqezinjtë në minutën e 56-të, derisa vetëm nëntë minuta më vonë Broja shënoi edhe golin e katërt për ekipin e drejtuar nga Nevil Dede, për të vendosur rezultatin përfundimtar 1:4. Të rikujtojmë se dy ditë më parë Kosova U19 pësoi humbje nga Shqipëria U19 në ndeshjen e zhvilluar në Drenas, me rezultat 1:3. Këto dy miqësore i kanë shërbyer të dy ekipeve si përgatitje për kualifikimet e Kampionatit Evropian.